Ballina Rajoni E rëndë në Greqi/ Çifti shqiptar gjendet i vrarë në hyrje të...

E rëndë në Greqi/ Çifti shqiptar gjendet i vrarë në hyrje të pallatit

79
0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni të Athinës, ku një burrë shqiptar dyshohet se ka vrarë me armë një grua 45-vjeçare, gjithashtu me origjinë shqiptare, dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”. Sipas të dhënave të deritanishme të autoriteteve greke, burri dyshohet se i kishte zënë pritë 45-vjeçares. Kur ajo mbërriti pranë pallatit, ai e qëlloi disa herë me revolver, duke e vrarë dhe më pas qëlloi veten në kokë.

Në pallatin ku ndodhi krimi banon vajza e 45-vjeçares. Nga informacionet e deritanishme nuk rezulton që viktima dhe autori të kenë qenë të martuar. Ata kanë qënë të lidhur dhe dyshohet për një konflikt xhelozie mes çiftit. Të dy kanë debatuar para pallatit, para se shqiptari të ndërmerrte aktin e rëndë.

45-vjeçarja u gjet me plagë nga arma e zjarrit në trup dhe dyshohet edhe në fytyrë, ndërsa burri kishte një plagë në kokë. Pranë trupit të tij policia gjeti revolverin, duke përforcuar dyshimet se pas vrasjes së gruas ai kreu vetëvrasje.

Një banore e zonës ka treguar se rreth orës 05:30 të mëngjesit kishte dëgjuar tri të shtëna.

“Fqinja tha se në të gdhirë dëgjoi të shtënat. Unë kam këtu shtëpinë e prindërve dhe dëgjova tri të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit”, tha ajo.
Dëshmitarja shtoi se nuk kishte dëgjuar ndonjë automjet dhe nuk kishte vënë re lëvizje të tjera të dyshimta.