Policia greke po mbledh prova të reja për të zbardhur rrethanat e vrasjes së 45-vjeçares, Lulieta Obzova me origjinë shqiptare në Nea Smirni të Athinës e cila u qëllua për vdekje nga një 48-vjeçar, gjithashtu me origjinë shqiptare, që më pas kreu vetëvrasje.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit para krimit dhe të përcaktojnë marrëdhënien mes dy personave. Sipas informacioneve të publikuara ngamediat greke, 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, ndërsa bashkëshortja e tij u ka deklaruar autoriteteve se nuk kishte dijeni për ndonjë marrëdhënie mes tij dhe viktimës.
Në kuadër të hetimeve, policia ka kryer kontroll në banesën e 48-vjeçarit në Tavros. Objektivi është gjetja e pajisjeve elektronike, dokumenteve apo provave të tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e lëvizjeve dhe komunikimeve të tij para ngjarjes. Gjithashtu po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i të dy personave.







