Ballina Politika Loja e lobimit të Erion Veliajt para procesit të mes shtatorit

Loja e lobimit të Erion Veliajt para procesit të mes shtatorit

64
0

Erion Veliaj ka nisur fazën e tij të re të betejës me drejtësinë. Këtë fundjavë në shumë media vendase është riprodhuar një artikull i një faqeje online relativisht të panjohur, ‘Brussels Morning’, ku i bëhet jehonë pretendimeve se kreu në detyrë i bashkisë së Tiranës po mbahet i izoluar në mënyrë të padrejtë.

Veliaj, që me anë të kompanisë të së vëllait ka paguar vetëm në SHBA gati gjysëm milioni USD për të lobuar në favor të tij përmes Kasowits Benson Torres LLP, ka arritur të sigurojë mbështetjen e ndonjë eurodeputeti. `Shteti i së drejtës nënkupton proporcionalitet, proces të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë`, i tha Brussels Morning, Sandro Gozi, eurodeputet francez i Renew Europe, duke shtuar: “Tetëmbëdhjetë muaj paraburgim janë një periudhë jashtëzakonisht e gjatë dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin`.

Po të shihet me kujdes artikulli është i ndërtuar vetëm me një të cituar enkas dhe duke marrë andej këndej deklarata të vjetra. Ai duket haptas që është një sajesë për të krijuar presion në rritje mediatik. Këtë pandehmë e shton edhe fakti se `Brussels Morning` është një media periferike në Belgjikë, që pretendon se ka një newsletter me 5 mijë abonentë. Ajo pretendon të ketë ndikim në qarqet e burokratëve të BE-së, por nuk ka kurrë peshën e Politico, Euractiv apo Brussels Times.

Po atëhere pse duhet ky artikull dhe pse ka filluar faza e re e presionit?

Gjithçka lidhet me datën 15 shtator, kur çështja e tij do të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë pasi ajo Kushtetuese kërkoi një rishqyrtim të masës së tij të arrestit. Në 25 maj 2026 Kushtetuesja shfuqizoi vendimin e së ‘Lartës’ që e linte kryebashkiakun në burg duke argumentuar se kjo gjykatë nuk i kishte dhënë një arguementim shterues propocionalitetit të mbajtjes nën arrest, sidomos duke pasur parasysh dhe faktin se i paraburgosuri ishte një politikan i zgjedhur me votën e qytetarëve.

Pikërisht në këtë pikë u fokusia edhe avokati i Veliajt në artikullin e `Brussels Morning`. “Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, baza ligjore për vazhdimin e mbajtjes së z. Veliaj në paraburgim ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, tha Plarent Ndreca.

Pra mesi i shtatorit do të jetë një datë kyçe në rrugëtimin e Erion Veliajt me drejtësinë shqiptare.

Deri më tani ai ka korrur ndonjë fitore, por ka pësuar edhe disfata. Kryebashkiakut në detyrë iu dha një fitore nga Gjykata kushtetuese kur, në nëntor 2025 ajo i dha të drejtë atij dhe jo kryeministrit që donte ta shkarkonte. Ajo e la Veliajn në detyrë ndonëse në burg.

Një tjetër gjykatë, ajo ‘Administrative’ hodhi poshtë padinë e Veliajt për shmangjen e prokurorit të tij Ols Dado nga procesi duke kërkuar nxjerrjen e tij nga sistemi ku pretendohej se kishte hyrë në mënyrë të parregullt. Gjykata hodhi poshtë padinë e Veliajt, duke lënë të kuptohet se ajo synonte të godiste procesin penal.

Veliaj gjendet i izoluar në qelinë e paraburgimit që prej 10 shkurtit 2025 për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Bashkë me Veliajn janë dërguar për gjykim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ish-deputetja e PS-së dhe 16 persona të tjerë, mes të cilëve politikanë, biznesmenë dhe bashkëpunëtorë./ Lapsi