Ballina Politika Mbledhja e PS-së në Pogradec/ Takimi vijon prej 3 orësh, zbardhen diskutimet...

Mbledhja e PS-së në Pogradec/ Takimi vijon prej 3 orësh, zbardhen diskutimet dhe porositë e Ramës për të vetët

47
0

Vijon mbledhja e nisur rreth orës 11:30 në Pogradec, ku kryeministri Edi Rama po bashkëbisedon me drejtuesit politikë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.

Pjesë e diskutimeve të para ka qenë dokumenti “Besa”, për të cilin të pranishmit kanë dhënë sugjerimet e tyre konkrete lidhur me përmbajtjen dhe mënyrën e zbatimit të tij në terren.

Gjatë takimit, Rama është ndalur në mënyrë të veçantë te roli që duhet të ketë secili nga drejtuesit në nivel rajonal, duke përfshirë ministrat, drejtuesit politikë, deputetët dhe drejtorët e institucioneve lokale.

Kreu i qeverisë u ka kërkuar të pranishmëve mendime dhe propozime se si mund të përmirësohet marrëdhënia dhe bashkëpunimi mes këtyre aktorëve në rang qarku. Takimi në Pogradec vijon me diskutime mbi organizimin e strukturave, ndërsa detaje të mëtejshme pritet të bëhen publike pas përfundimit të punimeve.

Burime bëjnë me dije se deri më tani është mbajtur vetëm fjalimi nga kryeministri Rama rreth një orë. Ky i fundit ka kërkuar që të lexohen dy dokumente të rëndësishme “Besa” dhe “Prania Besnike”, dhe nga ana tjetër pjesë e fjalimit ka qenë dhe shkrirja e bashkive ku ka patur dhe debate.

Rama ka pyetur drejtuesit politikë të atyre bashkive që flitet për shkrirjen se përse ka patur një revoltë me Partinë Socialiste dhe t’u shpjegonin qytetarëve se kjo shkrirje do të sillte më shumë shërbime dhe më shpejt.

Rama mësohet gjithashtu se u ka kërkuar drejtuesve politikë që të fillojnë të mendojnë për emrat e zgjedhjeve lokale në 2027 duke u kërkuar emra dhe figura që janë më afër komunitetit.

Rama është ndalur tek dokumenti “Besa” ku është shprehur se ky dokument duhet t’u shpërndahet jo vetëm deputetëve por dhe kryetarëve të bashkive dhe kryetarëve të partive përkatëse që të gjithë të njihen me këtë dokument. Më tej, kryeminsitri u ka kërkuar drejtuesve politikë më tepër prani në komunitet.

Sa i përket kryetarëve të komisioneve parlamentare u ka kërkuar më tepër aktivizim në media dhe më tepër kujdes më menyrën se si përcillen ligjet drejt publikut.

Ditën e nesërme mësohet se nuk do të jenë vetëm ministrat të pranishëm por edhe drejtorët e mëdhenj dhe në fund do të ketë një dokument të përpiluar sa i përket gjithë diskutimeve që janë kryer që me ditën e sotme, si dhe do të ngrihen edhe disa objektiva sa i përket zgjedhjeve të vitit 2027.

Mbledhja do të mbyllet përsëri me një fjalim nga kryemininstri Rama ndaj drejtuesve politikë, fjalim i cili parashikohet rreth orës 17:00.