Ballina Aktualitet ‘Dosjet Shqiptare’ zbulojnë verbërinë morale të arkitektëve në kërkimin e lirisë së...

‘Dosjet Shqiptare’ zbulojnë verbërinë morale të arkitektëve në kërkimin e lirisë së projektimit

49
0

Është ëndërr për çdo arkitekt: një drejtues qeverie që e konsideron të rëndësishme arkitekturën, fton studio të huaja, u jep kontrata dhe përfshihet personalisht në projektim. Në Shqipëri, falë Edi Ramës, kjo ëndërr është bërë realitet.

“The Albanian Files”, një libër prej 800 faqesh që përmbledh mbi njëzet vjet arkitekturë të huaj në vend, nxjerr në pah para së gjithash marrëdhënien e veçantë mes arkitekturës dhe pushtetit.

Për këtë arsye, ai është kthyer në një portret demaskues të një profesioni që mungesën e kontrollit demokratik e ngatërron me lirinë e projektimit.

Truman Kapote e përshkroi librin legjendar “Në udhëtim” të Xhek Kuruakut—të cilin autori e shkroi nën ndikimin e amfetaminave si vërshim mendimesh të papërpunuara, pa përdorur shenjë pikësimi, duke shtypur me makinë shkrimi mbi një rul të pandërprerë letre— me fjalët: “Ky nuk është shkrim, është thjesht shtypje në makinë.”

Diçka e tillë mund të thuhet edhe për “Dosjet Shqiptare” (The Albanian Files), përmbledhjen gjigante të mbi 20 vjetëve arkitekturë dhe urbanistikë të huaj në Shqipëri, me redaktore botimi Aneke Abhelakhun dhe botues Lars Müller Publishers: “Ky nuk është redaktim, është thjesht printim.”

60 studio arkitekture nga Evropa, Amerika dhe Azia morën një formular me pyetjen se prej sa kohësh dhe për çfarë kishin punuar në Shqipëri.

Formulari u kërkonte gjithashtu të plotësonin një tabelë me të dhëna për projektet e tyre dhe më pas i ftonte të mbushnin një fashikull nga 8 deri në 16 faqe me vizatime, skica, mendime, fotografi apo çfarëdo tjetër që dëshironin të paraqisnin rreth këtyre projekteve.

Image

Foto: Faqet 400 dhe 401 nga libri Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

Numërator telefonash

Është pak a shumë ajo që bëjnë botuesit e shtëpisë botuese NAi010 (botuesi më i madh hollandez i librave të arkitekturës dhe artit) në fillim të procesit për hartimin e Vjetarit të Arkitekturës.

Më pas, duke u mbështetur te materiali i mbledhur, redaksia nis një odise qindraorëshe: viziton të gjitha projektet, diskuton se cilat duhen përfshirë dhe cilat jo, përzgjedh ose porosit fotografi dhe vizatime projektuese, shkruan tekste informuese për çdo projekt dhe reflekton mbi prodhimin e një viti arkitekturor përmes disa eseve të thelluara.

Lars Müller Publishers dhe Abhelakhu i kanë anashkaluar të gjitha këto faza. Ata janë kufizuar në bashkimin e materialeve në një lloj numuratori telefonik prej 800 faqesh, të strukturuar mbi bazën e përgjigjeve të formularëve dhe tabelave, shtypur në letër rozë.

Vëllimi paraprihet nga një hyrje e Anneke Abhelakhut, e cila shkruan në terma të përgjithshëm për tema si bashkëpunimi, shkëmbimi dhe bashkësia.

Parathënia është shkruar nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej 13 vjetësh dhe, më parë, për shumë vite kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në një tekst të shkurtër e bombastik, ai lëvdon rolin heroik të ushtrisë së tij të arkitektëve të huaj (Arch Army) — në çlirimin e shqiptarëve nga izolimi dhe prapambetja, si dhe në përgatitjen e tyre për rolin që do të luajnë në Bashkimin Evropian dhe në botë.

Ndërkohë, pikërisht gjatë periudhës kur Rama ka qenë në pushtet, ka ndodhur një emigrim masiv i trurit — miliona shqiptarë të rinj dhe të arsimuar janë larguar drejt Evropës dhe pjesës tjetër të botës. Kjo diasporë, përfshirë edhe arkitektët mes saj, nuk ka luajtur asnjë rol domethënës në projektet e përmbledhura në libër.

Libri ka marrë një ngarkesë politike shumë më të madhe se çfarëdo libri tjetër mbi arkitekturën, në kontrast të plotë me përpjekjet minimale redaktoriale dhe mungesën e reflektimit që ai mbart.

Për nga përmbajtja, ky libër nuk mund të merret seriozisht, por megjithatë ia vlen të studiohet si simptomë dhe simbol i marrëdhënies midis arkitekturës dhe pushtetit.

Një libër arkitekture në mes të një beteje politike

“The Albanian Files” u botua kur rrugët e Tiranës ishin mbushur me shqiptarë që brohorisnin dhe këndonin me zë të lartë, duke protestuar kundër korrupsionit të qeverisë Rama dhe, veçanërisht, kundër lidhjeve të ngushta të kryeministrit — i cili që në kohën kur ishte kryetar bashkie njihej me nofkën “zotëria 10%” — me oligarkë, investitorë të dyshimtë të huaj dhe pastrimin e parave kriminale përmes pasurive të paluajtshme.

Në një vend nga ku prej dekadash emigrojnë dhjetëra mijëra njerëz çdo vit dhe që po zbrazet ngadalë, ndërtohet një kompleks apartamentesh të shtrenjta pas tjetrit. Më pas, këto ndërtesa mbeten bosh, sepse funksioni i tyre kryesor është pastrimi i parave të kokainës.

Pika që e mbushi kupën ishte një projekt ku Xhared Kushner kishte rol drejtues, mbushja e zonës natyrore të lagunës Vjosë-Nartë dhe e ishullit të Sazanit me një resort ekskluziv për më të pasurit.

Ndërthurja e rolit të Kushnerit si zhvillues pronash me rolin e tij si familjar dhe këshilltar i Donald Trampit për Gazën; ambicia e Edi Ramës për të fituar simpatinë e Trampit dhe për t’u përfshirë në rindërtimin e Gazës përmes Bordit të Paqes (Rama është një nga të paktët udhëheqës evropianë në Bord), ku ai thotë se dëshiron të angazhojë “ushtrinë e arkitektëve” të tij — i gjithë ky lëmsh krijoi një nyjë aq të pazgjidhshme korrupsioni, shkatërrimi të natyrës, lufte për pushtet dhe mbështetjeje për luftën e gjenocidin, saqë shqiptarët dolën masivisht në rrugë.

Për shkak të shpendëve që ndërtojnë foletë në lagunë, protesta mori emrin “Revolucioni i Flamingove” dhe demonstruesit filluan të mbanin pankarta rozë në formë flamingoje.

Ata protestonin kundër të gjithë sistemit, të karakterizuar nga kriminaliteti, nepotizmi dhe gërryerja e vlerave demokratike, me Edi Ramën në qendër të tij.

Revolucioni i Flamingove ndjek modelin e një tjetër proteste masive kundër një udhëheqësi të korruptuar dhe autoritar: protestat e Parkut Gezi në Turqi, në vitin 2013. Shkak për to ishte plani për ta mbushur parkun popullor Gezi, në qendër të Stambollit, me një qendër tregtare në stil neo-osman.

Demonstruesit e parë dolën në mbrojtje të parkut dhe kundër shitjes së hapësirës publike, por protesta shpejt u zgjerua dhe u drejtua kundër mënyrës së korruptuar dhe jodemokratike me të cilën Rexhep Erdogani impononte projektet e tij gjigante të ndërtimit.

Në fund, miliona njerëz në mbarë vendin protestuan kundër shkatërrimit të të drejtave dhe institucioneve laike e demokratike nga qeveria islamiste. Në Turqi, protestat u shtypën në mënyrë të pamëshirshme dhe të dhunshme nga ushtria, duke shkaktuar shumë viktima.

Në Shqipëri ekzistojnë akoma institucione të pavarura të drejtësisë dhe qeveria ende nuk ka përdorur dhunë në shkallë të gjerë, prandaj ngjarjet nuk duhet të përfundojnë medoemos si në Turqi.

Megjithatë, Edi Rama ka deklaruar se asgjë nuk mund ta rrëzojë nga pushteti. Sipas tij, bëhet fjalë për një pakicë të vogël agjitatorësh të paguar nga fuqi të huaja.

Ai gjithashtu beson se vendi nuk ka qenë kurrë më mirë se nën drejtimin e tij.

Sipas tij, nëse ai do të largohej, Shqipëria mund ta harronte përgjithmonë anëtarësimin në BE.

Libri si armë politike

Pak pasi kishin shpërthyer protestat, doli libri me titullin provokues The Albanian Files: Freedom and Architecture (Dosjet Shiptare: Arkitektura dhe Liria), dhe protestuesve iu dhurua kështu një simbol: një libër që përmban vetëm arkitektë të huaj, të cilët, falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Edi Ramës, kishin marrë porosi për të realizuar një seri të tërë projektesh ikonike të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

Mes ndërtimeve janë shembujt më të dukshëm të korrupsionit dhe pastrimit të parave, të cilët, me format e tyre të çuditshme, kanë pushtuar horizontin urban të Tiranës.

Image

Foto: Faqet 86 dhe 87 nga libri Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

Krahasimi me The Epstein Files (Dosjet e Epstinit) u bë menjëherë. Një faqe interneti që botoi qindra faqe dokumentesh ligjore mbi korrupsionin e qeverisë Rama u quajt  The Edi Rama Files.

Legjenda e gjallë Fatos Lubonja, shkrimtar dhe ish-i burgosur politik gjatë regjimit stalinist, nisi një projekt për të dokumentuar sistematikisht abuzimet me pushtetin dhe burimet që kishin mundësuar realizimin e secilit prej projekteve të përmendura në libër.

Edi Rama kundërsulmoi duke e tundur librin si një manifest politik të luftës së tij për ta çliruar Shqipërinë nga dekada prapambetjeje dhe izolimi, me ndihmën e arkitekturës.

Për të mbledhur një turmë edhe më të madhe se protestuesit, në mbështetje të tij, Edi Rama ndërtoi një stadium të tërë të përkohshëm për një koncert të vetëm të Kanje Uestit, të cilit, para fotografëve të mbledhur, i vuri në duarl librin Dosjet Shqiptare.

Edhe në këtë rast ai zgjodhi shkëlqimin e huaj për të forcuar pozitën e vet. Sigurisht, mund të kishte ftuar Dua Lipën, por më vonë superylli britaniko-shqiptar do të shprehej në mbështetje të protestave të Flamingove dhe kundër Edi Ramës.

Arkitektët bëhen të varur nga Edi Rama

Libri tërhoqi edhe më shumë vëmendje kur një deputet i opozitës citoi në parlament një fragment nga kontributi i Reinier de Grafit të OMA-s.

De Grafi i kishte drejtuar një letër të hapur kryeministrit, në të cilën i kërkonte që, nëse ishte e nevojshme, të shpërndante parlamentin dhe të mos zhvillonte më zgjedhje, mjafton që të mbetej ai në pushtet.

Sipas De Grafit, studiot e huaja të arkitekturës të paraqitura në Dosjet Shqiptare, përfshirë edhe vetë atë, ishin bërë plotësisht të varura nga marrëdhënia personale që kishin me Ramën, në një botë ku arkitektura po humbte gjithnjë e më shumë terren.

Prandaj, sipas De Grafit, zgjedhjet e ndershme dhe ndryshimi i pushtetit do të ishin katastrofike për arkitekturën.

Sipas deputetit shqiptar, kjo letër ishte “prova vendimtare” që dëshmonte se sa i korruptuar dhe autoritar ishte në të vërtetë regjimi i Ramës dhe cila ishte agjenda e fshehtë e politikës së tij.

Redaktorja e librit dhe Edi Rama u përgjigjën se ky reagim tregonte, pikërisht, se sa pak e kuptonin kundërshtarët e tyre ironinë dhe se përfshirja e kësaj letre dukshëm satirike të De Grafit tregonte sa të hapur dhe transparentë ishin ata.

Ndërsa demonstruesit dhe disidentët e shohin librin si një dokument të paturpësisë së korrupsionit nën qeverisjen e Edi Ramës, Rama dhe redaktorja e tij e paraqesin pikërisht paturpësinë e librit si diçka pozitive.

Në përgjigje të një shkrimi kritik botuar në Archined, redaktorja Anneke Abhelakh deklaroi se libri bënte pikërisht atë që duhet të bëjnë arkivat dhe dosjet: të shënojnë një moment kur zhvillohet një debat i gjerë shoqëror.

Pikërisht sepse janë bërë shënjestra e një proteste kundër qeverisë së korruptuar, Dosjet Shqiptare paraqitet prej tyre si manifest i lirisë për të pasur mendime të ndryshme.

Është interesante të shihet se sa forma të ndryshme mund të marrë paturpësia: nga njëra anë mënyra teatrale dhe vulgare me të cilën Edi Rama i hedh zjarr polemikës dhe u kundërpërgjigjet kritikëve duke e ngritur zërin në maksimum dhe nga ana tjetër mënyra me të cilën Abhelakh përpiqet t’i zbusë kundërshtarët përmes një arsyetimi ledhatues, por të pakuptimtë.

“Liria dhe Arkitektura” apo “Liri për Arkitekturën”?

Redaktorja i ka dhënë librit nëntitullin “Freedom and Architecture” (Liria dhe Arkitektura), me sa duket duke u nisur nga ideja se liria është tema që bashkon grumbullin heterogjen të projekteve në libër.

Duke gjykuar nga parathënia e Ramës, hyrja e Abhelakhut dhe reflektimet e shumë arkitektëve, liria për të cilën flitet është ajo e arkitekturës si shenjë e çlirimit nga shtrëngimi dhe izolimi i regjimit stalinist, i rrëzuar tashmë 35 vjet më parë.

Në këtë mënyrë, arbitrariteti i dukshëm, kaosi hapësinor, kapitalizmi agresiv, madje edhe kriminaliteti dhe korrupsioni marrin një shkëlqim të veçantë: atë të lirisë së sapofituar për të eksperimentuar, ku nganjëherë gjërat mund të bëhen brutale, por, fundja…

Është e njejta mendësi siç tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, pas plaçkitjes së Muzeut Irakian të Antikiteteve:

“Liria është e rrëmujshme dhe njerëzit e lirë janë të lirë të bëjnë gabime, të kryejnë krime dhe të bëjnë gjëra të këqija. Ata janë gjithashtu të lirë të jetojnë jetën e tyre dhe të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Dhe kjo është ajo që do të ndodhë këtu.”

Arkitektët si idiotë të dobishëm

Siç ndodh shpesh me udhëheqësit që qëndrojnë tepër gjatë në pushtet, Rama ka filluar ta barazojë interesin e Shqipërisë me pushtetin e vet.

Ai e sheh veten si të vetmin person të aftë për t’i udhëhequr shqiptarët në kapërcimin e asaj që e quan trauma e çlirimit: hapja e menjëhershme e dyerve dhe dritareve në një dhomë të errët dhe konfuzionin që pason.

Prandaj, “Baba Rama” duhet të udhëheqë me dorë të fortë, edhe kur shqiptarët përkohësisht nuk e kuptojnë dhe lejojnë të manipulohen nga armiqtë e popullit. “Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë vetë shqiptarët”, tha ai jo shumë kohë më parë.

Ndërsa Rama është i pushtuar plotësisht nga narcizmi i mbretit-diell, arkitektët dhe redaktorja luajnë rolin e “idiotit të dobishëm”, një emërtim që politikanët sovjetikë përdornin për simpatizantët komunistë në Perëndim, të cilët vinin për të ndihmuar në ndërtimin e utopisë punëtore — mes tyre jo pak arkitektë.

Image

Faqet 24 dhe 25 nga libri The Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

Në fund të fundit, prej arkitektëve kërkohet një lloj i veçantë marrëzie që, 35 vjet pas rënies së komunizmit, ta shpërfillin kaosin e korruptuar ku punojnë si dhimbjet e pashmangshme të rilindjes së një vendi që po çlirohet nga e kaluara dhe ta shohin Edi Ramën si udhëheqësin e ndriçuar pa të cilin vendi nuk do të mund ta rishpikte kurrë veten.

Si në formën redaktoriale, ashtu edhe në vetë projektet e përzgjedhura, në Dosjet shqiptare nuk gjendet asnjë gjurmë e ndonjë qasjeje të përbashkët përmbajtësore, apo të ndonjë analize të përbashkët hapësinore apo të ndonjë hierarkie midis çështjeve kryesore dhe atyre dytësore — gjë që do të ishte e pritshme në një vend ku pushteti mbi arkitekturën është kaq i përqendruar.

Një farë koherence mund të dallohet në kontributet e studiove që punojnë prej njëzet vjetësh në Shqipëri dhe i kanë renditur projektet e tyre kronologjikisht, si City Förster nga Roterdami dhe 51N4E nga Belgjika. Megjithatë, edhe këto mbeten seri që mezi plotësohen ose ndërthuren me njëra-tjetrën.

Shumica dërrmuese e kontributeve nuk shkon përtej anekdotikes dhe subjektives, me shpërthime të shprehjes më individuale të emocioneve personale, të cilat projektues të ndryshëm nuk kanë dashur të na i kursejnë.

Marrëzia

Në të vërtetë, marrëzia e “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të Ramës është i vetmi “ind” që i bashkon projektet dhe përbën arsyen e ekzistencës së librit.

Vetëm marrëzia i bashkon temat e punimeve, pikëpamjet e autorëve dhe konsensusin e tyre — absurd — mbi rolin e arkitekturës dhe karakterin e qeverisë Rama.

Fjalën “marrëzi” e përdor me vetëdije, jo për të provokuar apo fyer.

Në një artikull jashtëzakonisht të mprehtë, shkrimtari palestinez Abdaluaxhad Omar shqyrton çështjen se përse aq shumë kritikë eruditë dhe inteligjentë, brenda e jashtë Izraelit, gjejnë vazhdimisht mënyra për ta minimizuar, mohuar ose anashkluar gjenocidin izraelit ndaj palestinezëve.

Ai vëren se ata e bëjnë këtë gjë duke përdorur repertorin e debatit intelektual, ndërsa lënë mënjanë logjikën përmbajtësore, proporcionalitetin, kontekstin dhe arsyen.

Ai e quan këtë “marrëzi morale” dhe e dallon nga padituria, të cilën njeriu nuk e zgjedh, por edhe nga frika, e cila nënkupton një rrezik personal që dikush nuk është i gatshëm ta marrë.

Sipas Omarit, marrëzia morale është zgjedhja për të ndaluar së menduari, arsyetuari dhe analizuari, në mënyrë që të mos përballesh me humnerën e përgjegjësisë personale që sjell bashkëpunimi me një padrejtësi.

Lentja e marrëzisë së Omarit jep një pamje të mprehtë të zgjedhjeve dhe retorikës së arkitektëve në Shqipëri.

Nuk është se ata janë të marrë ose budallenj, apo kriminelë që në fillim. Ata as nuk po zbatojnë, në bashkëpunim me Edi Ramën, ndonjë komplot të përgatitur me kujdes.

Përkundrazi, konteksti ku punojnë ka bërë që disa veçori dhe gabime logjike, të brendshme të vetë profesionit të arkitekturës, të shndërrohen në pika të verbra me pasoja katastrofike.

Gjashtë pikat e verbra të arkitektëve

Jam përpjekur t’i rendis këto kurthe mendore, të cilat krijuan pika të verbra dhe më pas çuan në marrëzi morale të tipit të përshkruar nga Abdaluaxhad Omari.

1. Marrëzia e vetës së parë

Së pari, është marrëzia e vetës së parë. Nuk kam lexuar kurrë një libër arkitekture ku fjala “unë” të përdoret aq shpesh sa në Dosjet Shqiptare. Nga përgjigjet në formular e deri te reflektimet mbi projektet vetjake, gjithçka është subjektive, intuitive, e drejtpërdrejtë dhe emocionale.

Shembujt luhaten nga “Më telefonoi Edi, i cili e kishte marrë numrin tim nga Benedeta” (Alehandro Aravena) te “Po ecja nëpër Tiranë duke parë me dylbi dhe pashë një flutur” (Xhin Geng) apo “Nuk mund të vij në Shqipëri, sepse më dhemb shpina.” (Alvaro Siza).

“Nëna ime bënte ushtrime joge nën një strehë bambuje në Indonezi, prandaj ky resort bregdetar do të ndërtohet me bambu, ose ndoshta jo” — Elora Berton.

Pavarësisht pohimeve të shumta për bashkëpunim, për projekte të përbashkëta dhe për distancimin nga fama e “arkitektëve yje”, në fakt ata flasin kryesisht për veten.

Libri e përforcon këtë qasje duke përfshirë në faqet me informacion të përgjithshëm edhe nofkat e disa arkitektëve. Sam Çermajef, për shembull, pëlqen ta thërrasin “Gangsteri Çeçen”, ndërsa NOA preferon “Malësorët e Mesdheut”— dhe këto nofka janë shtypur në libër.

2. Marrëzia e skicave

Së dyti kemi marrëzinë e skicës. Një pjesë shumë e madhe e kontributeve përbëhet nga imazhe të shkarravinave spontane të arkitektëve, tek të cilat dalloj, sikur të isha aty, lëngun krijues që rrjedh pikë-pikë e ngurtësohet, për shembull, në një kullë me planimetri të përdredhur (Pablo Bofill) ose në një fasadë në formë krahësh fluture (Xhin Geng).

Pavarësisht fjalëve të shumta për rëndësinë e procesit, pjesëmarrjes dhe bashkëkrijimit, koncepti i projektit përcaktohet që me skicën e parë, në atë vend dhe atë çast kur kjo është bërë.

Një skicë mund të jetë vizatuar nga një arkitekt që as nuk e ka vizituar dhe as nuk ka për ta vizituar kurrë Shqipërinë (Siza) ose nga një arkitekte që, pa folur ende me ndonjë ekspert vendas, vizaton mbi rrotulla të mëdha letre kalk një qytet me 50 mijë banorë në një formë grafike dukshëm ekspresioniste (Anupama Kundo).

Stiven Holl madje e ka zmadhuar mijëra herë njërën prej vijave të tij spontane, derisa ajo është shndërruar në siluetën e çrregullt të një ndërtese të madhe, e cila është ndërtuar vërtet.

Image

Faqet 338 dhe 339 nga libri The Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

3. Marrëzia e turistit

Së treti kemi marrëzinë e turistit. Dhjetëra arkitektë arrijnë në të njëjtin përfundim: konteksti më i rëndësishëm me të cilin duhet të lidhen është peizazhi, veçanërisht malet dhe deti, i cili, siç vëren Liz Diller, në Shqipëri është gjithmonë akuamarin.

Nga Portoja, Alvaro Siza skicon se sa bukur hyjnë shkëmbinjtë shqiptarë në det, ndërsa Uinka Dabëlldam frymëzohet nga faqet shkëmbore për të krijuar fasada të pjerrëta dhe të gjelbëruara për kullat në mes të Tiranës.

Arkitektë të tjerë gjejnë guralecë në plazh dhe frymëzohen prej tyre për të ndërtuar një resort bregdetar gjigant në formën e gurëve të stërmëdhenj (Berton).

E njëjta marrëzi bën që shumë arkitektë të flasin për mikpritjen e “shqiptarit” dhe për numrin e madh të pjatave që u shërbehen në drekat e tyre.

Image

Faqet 228 dhe 229 nga libri The Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

4.Marrëzia e kolonialistit

Së katërti kemi marrëzinë e kolonialistit. Në hyrjen e librit dhe në shumë kontribute flitet për shkëmbime jashtëzakonisht të vlefshme ndërmjet arkitektëve të huaj dhe studiove vendase.

Megjithatë, ky shkëmbim nuk përkufizohet si bashkëpunim gjatë procesit krijues, por si një mënyrë për ta realizuar ndërtesën me burime vendase.

Ideja është se ky shkëmbim nis një proces mësimor, në mënyrë që, pas disa vjetësh, edhe arkitektët vendas të arrijnë nivelin e arkitektëve të huaj dhe të mund të projektojnë vetë ndërtesa.

Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë janë zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’.
Ajo që arkitektët e huaj dëshirojnë vërtet të mësojnë nga zanatet e vjetra të ‘shqiptarit’ janë rritja e deleve (Cityförster), thurja e shportave, ndërtimi me gurë dhe gdhendja e drurit, sepse këto mund të çojnë në veshje të reja dhe të spikatura fasadash, për shembull në një terminal aeroporti (Archea).

Edhe modelet e veçanta të palosjes së veshjeve tradicionale mund të frymëzojnë fasadën e palosur të një kulle të lartë.

Ashtu si në klishetë romantike për peizazhin, Shqipëria paraqitet si një parajsë e paprekur, pa qytetari, pa politikë apo arkitekturë, por me folklor, kostume popullore dhe zejtari tradicionale, që pret në padije frytet e përparimit.

Ky është orientalizëm në formën e tij më të pastër.

5. Marrëzia e nacionalizmit

Pastaj kemi marrëzinë e nacionalizmit. Ajo ilustrohet veçanërisht nga projektet e MVRDV-së. Uini Mas ka thënë më herët, gjatë një prezantimi, se ai dhe Edi Rama dëshironin ta bënin “nacionalizmin përsëri seksi”.

Fillimisht, kjo u shfaq në propozimet për të shkruar mbi ndërtesa me shkronja gjigante “I love Albania”; më pas, në propozimet për të mbuluar të gjitha ndërtesat me shqiponjën e zezë dykrenare mbi sfond të kuq; dhe më vonë, në propozimin për një pallat gjigant ku të gjitha apartamentet do të dilnin jashtë fasadës, duke formuar së bashku një hartë tridimensionale të vendit.

Kulmi i ‘nacionalizmit seksi’ të MVRDV-së është ‘Skanderbeg Building’, një ndërtesë apartamentesh luksoze 90 metra e lartë, në formën e kokës së atit të kombit: kryeluftëtarit të shekullit XV, Skënderbeut.

Gjatë shekullit XIX, rreth figurës së Skënderbeut u krijua miti nacionalist i mbrojtësit të Evropës së krishterë nga hordhitë aziatike të Perandorisë Osmane.

Për t’i dhënë kokës gjigante, që mbështetet mbi një qafë dhe shpatull po aq gjigante, një formë anatomike të saktë dhe bindëse, Uini Mas modeloi të gjithë trupin e heroit kombëtar në një skulpturë digjitale 500 metra të lartë.

E gjithë kjo shërben për të krijuar, duke u mbështetur te historia e vendit, ndërtesa që ofrojnë identitet — ose të paktën kështu e shpjegojnë ata.

Realiteti është se, pavarësisht se një arkitekt holandez mund të flasë për nacionalizmin sikur të bëhej fjalë për marketing urban, nacionalizmi në Ballkan ka një histori të gjatë.

gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, evokimi i betejave të përgjakshme gjashtëqindvjeçare, si ato ku Skënderbeu mundi turqit, nuk është bërë për qëllime të pafajshme në këtë rajon.

Kjo qasje ndërthuret gjithashtu me rolin që Edi Rama i ka caktuar vetes në forcimin e “Fortesës Evropë” kundër të ardhurve nga lindja dhe jugu, si në qendrat e ndalimit për azilkërkues që ai i lejon qeverisë italiane të ndërtojë në territorin e tij, ashtu edhe në mbështetjen e tij për luftën shfarosëse të Izraelit kundër popullit palestinez.

Image

Sheshi Skënderbej, Tiranë

Për më tepër, për këdo në Shqipëri është shumë e qartë se kujt i përket në të vërtetë koka madhështore me mjekër të mprehtë, kafkë tullace dhe vështrim të zemëruar: vetë kryeministrit, si rimishërim i Skënderbeut.

Ajo që u mendua si një lojë pa të keq nga ana e MVRDV-së me një simbol kombëtar, në këtë kontekst dhe në këtë shkallë nuk mund të quhet ndryshe veçse arkitekturë fashiste.

Kam dy argumente për këtë pohim.

Së pari, nuk kemi të bëjmë thjesht me një imazh të ngjashëm me një simbol kombëtar dhe as thjesht me një ndërtesë kushtuar atij simboli.

Kemi një ndërtesë që është vetë trupi gjigant i simbolit kombëtar, në të cilën identiteti kombëtar dhe udhëheqësi shkrihen në një.

Ndërtesa është gjithashtu aq e madhe sa mund të mbajë brenda qindra njerëz, duke e shkrirë popullin me trupin e udhëheqësit në një konstruksion të vetëm. Kjo është arkitekturë fashiste.

Simboli i unitetit kombëtar, i cili mishëron origjinën dhe thelbin e popullit shqiptar, realizohet në një shkallë të tillë dhe vendoset në një pikë aq qendrore, saqë askush nuk mund t’i shpëtojë syve të Skënderbeut. Edhe kjo është arkitekturë fashiste.

Me “Skanderbeg Building” (të njohur gjithashtu si “Tirana’s Rock”), MVRDV-ja ka projektuar një ndërtesë fashiste. Nëse arkitektët e kanë pasur apo jo këtë qëllim, është e parëndësishme.

Ndonjëherë gjërat janë thjesht ato që janë.

6. Marrëzia e arkitekturës

Marrëzia e fundit, e cila përbën kushtin që pesë të parat të funksionojnë, është marrëzia e vetë arkitekturës. I gjithë projekti shqiptar i Ramës dhe “ushtrisë së arkitektëve” (Arch Army) të tij përshkohet nga një pakt faustian ndërmjet pushtetit dhe arkitektit.

Këtë e shohim në fjalët e shumta të vlerësimit që arkitektët i drejtojnë udhëheqësit, në apologjitë e Abhelakhut dhe të Ramës, por edhe në anekdotat për kontaktet e para ndërmjet arkitektëve dhe Ramës, fillimisht si kryetar bashkie dhe më pas si kryeministër.

Nëse vini të ndërtoni këtu, do të sigurohem që t’i merrni kontratat dhe që asgjë të mos ju pengojë. Fjalë për fjalë ose në ndonjë formulim të ngjashëm, Rama ua ka bërë këtë deklaratë me dhjetëra herë arkitektëve, shpesh të rinj, por edhe me përvojë, projekti i të cilëve nuk kishte fituar në ndonjë konkurs ose që i ishin rekomanduar nga ndonjë arkitekt tjetër.

Sharmi i Ramës është legjendar, po ashtu edhe shija e tij dhe njohja e zhargonit arkitekturor: “Ju lutem, më lejoni të prezantohem: jam njeri me pasuri dhe shije.”

Arkitektët i kanë pranuar ftesat e tij nisur nga besimi se arkitektura e mirë është vendimtare për ndërtimin e një vendi dhe se ata mund të luanin një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Pothuajse çdo arkitekt në libër pohon se arkitektura e mirë mund të realizohet vetëm falë një udhëheqësi qeveritar që beson vërtet tek arkitektura dhe angazhohet personalisht për arkitekturën dhe për zgjedhjen e arkitektëve.

Në mënyrë teatrale, Rama i hedh poshtë kundërshtimet që i bëjnë zhvilluesit e pronave apo zyrtarët e qeverisë së tij dhe vendos përjashtime nga planet e miratuara urbanistike apo anashkalon kufizimet e tjera ligjore.

Gjithçka në emër të arkitekturës.

Marrëzia e arkitekturës qëndron në faktin se ajo ka filluar t’i barazojë interesat e veta me interesat e shoqërisë dhe, për rrjedhojë, t’i nënvlerësojë kundërshtimet e shoqërisë përballë interesave të arkitekturës.

Libri quhet “Liria dhe Aritektura”, por në të vërtetë flet për “Liri për Arkitekturën”.

Më në fund arkitektët janë çliruar nga rregullat dhe ligjet; më në fund ata i kanë detyruar zhvilluesit që t’u japin respekt; më në fund ata janë të vlerësuar siç duhet nga politika.

Rama është i mirë për arkitekturën dhe arkitektura është e mirë për botën.

Shumë shpejt, shumë lirë

Megjithatë, edhe brenda kushteve të paktit me Ramën, arkitektura nuk shkon gjithmonë mirë.

Ideve të arkitektëve të huaj mund të mos u vendoset asnjë pengesë, por projektet shpesh realizohen me shumë shpejtësi, shumë lirë ose zbatohen në mënyrë të gabuar — ndaj projektet fillojnë të shkërmoqen sapo largohen fotografët nga prezantimet e tyre.

Shumë prej arkitektëve të librit e pranojnë këtë, por e paraqesin si proces mësimi, si dhimbje të rritjes, si diçka që do të përmirësohet sapo ndërtuesit shqiptarë të kapërcejnë prapambetjen teknike.

Pra, edhe ky fakt shërben për të konfirmuar prapambetjen e Shqipërisë dhe të nevojës për arkitekturë të mirë.

Problemi i dytë është se Rama nuk ka lidhur pakt vetëm me arkitektët e huaj, por edhe me zhvilluesit, investitorët dhe kompanitë e ndërtimit.

Punoni me këta arkitektë dhe do t’ju lejoj të ndërtoni çfarë të doni, kudo që të doni dhe me çfarëdo parash që keni nevojë të sistemoni”, u thotë kryeministri oligarkëve, trafikantëve të kokainës dhe fuqive të huaja.

Në këtë mënyrë, Rama mund t’i paraqitet botës së jashtme, veçanërisht BE-së, si një udhëheqës i ndriçuar, një superkryetar bashkie që realizon njëri pas tjetrit projekte kulturore dhe ekologjike me arkitektë të huaj.

Për Shqipërinë, kjo do të thotë që Rama dhe “ushtria e arkitektëve” të tij shërbejnë si porta për investimin dhe pastrimin e dhjetëra miliardave nga oligarkët shqiptarë.

Image

Faqet 90 dhe 91 nga libri The Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

Marrëzia ligjore

Këtu lind problemi tjetër për arkitektët, të cilin ndoshta mund ta quajmë marrëzia ligjore. Normalisht, roli i arkitektit në projekte të dyshimta ndërtimi shpërfillet plotësisht.

Njëzet vjet më parë, arkitekti Karel Ueber tha se fakti që asnjë arkitekt nuk ishte ftuar në hetimin parlamentar për mashtrimet në sektorin e ndërtimit të Hollandës dëshmonte se sa periferik ishte bërë profesioni i arkitekturës.

Me Dosjet Shqiptare në duar, shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe në fakt disa hetime të gjera penale kanë filluar.

Gazetarët dhe kritikët vendas kanë më shumë se dhjetë vjet që shkruajnë për llumin e korrupsionit dhe kriminalitetit ku janë zhytur arkitektët e huaj.

Ata madje kanë kontaktuar disa herë studiot e arkitekturës për t’i paralajmëruar.

Të paktën ky është përparim krahasuar me hetimin hollandez mbi mashtrimet në ndërtim.

Nuk është çudi që shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër të kenë angazhuar tashmë avokatë për t’u përgatitur për stuhinë ligjore që pa dyshim do të vijë.

Deri pak kohë më parë, projektuesit mendonin se ata nuk do të merreshin në përgjegjësi dhe, për më tepër, ata nuk kishin marrë pjesë në këto aktivitete me vetëdije.

Mirëpo, në ndjekjet penale për korrupsion dhe pastrim parash, ky arsyetim nuk është gjithmonë mbrojtje e mjaftueshme.

Të çliruar nga shteti i së drejtës

Çështjet juridike janë plotësisht jashtë fushës së një kritike libri.

Por megjithatë mund të thuhet ky përfundim: liria që arkitektët e huaj kanë përjetuar gjatë ndërtimeve në Shqipëri është, në të vërtetë, çlirimi nga detyrimet e shtetit të së drejtës dhe kontrollit demokratik.

Ata janë çliruar nga detyrimet për mbrojtjen e natyrës dhe nga rregullat e transparencës.

Janë çliruar nga nevoja për t’u konsultuar me zyrtarët që ngrejnë pyetje apo kanë kritika, me aktivistët që luftojnë për ruajtjen e kësaj apo restaurimin e asaj, si dhe nga rregullat e prokurimit të Bashkimit Evropian.

Ata janë çliruar nga rregullat e paanshme administrative që duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh personin.

Kanë shpëtuar nga indiferenca monumentale për arkitekturën që hasin tek politikanët dhe porositësit vendorë.

Janë çliruar nga parimet e demokracisë kushtetuese, përfshirë idenë se pikërisht politika nuk duhet të përfshihet personalisht në përmbajtjen e arkitekturës, artit apo formave të tjera të kulturës.

Me veprimet e tyre, arkitektët shprehin bindjen se arkitektura e mirë mund të lindë vetëm nën një diktaturë të ndriçuar dhe për hir të saj ia vlen të braktisen parimet demokratike.

Ky nuk është vetëm një gabim taktik që do t’u kushtojë shtrenjtë në shumë mënyra, por edhe një tradhti ndaj popullit shqiptar, i cili prej muajsh po e ngre masivisht zërin për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Image

Faqet 260 dhe 261 nga libri The Albanian Files. Imazhi Lars Müller Publishers.

Çfarë tregon përfshirja në Shqipëri për arkitektët tanë?

Por çfarë tregon për arkitektët e rajonit tonë fakti që, në entuziazmin e tyre për makinën politike të Edi Ramës, ata largohen nga parimet mbi të cilat mbështeten institucionet e Bashkimit Evropian?

Vetë ata thonë se korrupsionin e konsiderojnë si dhimbjet e natyrshme të rritjes së një vendi në tranzicion dhe se arkitektura luan një rol pozitiv në normalizimin e Shqipërisë.

Por nga ky tranzicion shihet shumë pak.

Për më tepër, toni i ngazëllyer i kontributeve të arkitektëve në libër lë të kuptohet se ata duan ta paraqesin Shqipërinë si shembull pozitiv për Evropën.

Në intervistat me arkitektët në dokumentarin Albanian Calls, filmi shoqërues i librit i realizuar nga Anneke Abhelakhu, mburrja e disa arkitektëve duket sikur vjen drejtpërdrejt nga “manosfera”.

Ndoshta obsesioni i arkitektëve me Ramën nuk është vetëm çështje oportunizmi, por edhe simptomë e dëshirës për shkelje të normave shoqërore, për t’u ngritur mbi moralin meskin të shoqërisë borgjeze.

Edi Rama ua ka ofruar atyre Shqipërinë si një vend ku profesioni i arkitekturës mund të përjetohet me pasion, pa pasur nevojë të marrin vazhdimisht parasysh të tjerët.

“Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne”

Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.

Në çdo rast, është e qartë se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron te Edi Rama dhe arkitektët e tij. Mund të zgjasë shumë ose pak, por këtij regjimi do t’i vijë fundi.

Demonstratat e kanë arritur tashmë fitoren e tyre të parë: kanë ndryshuar imazhin që kemi për Shqipërinë.

Ndërsa më parë Shqipëria identifikohej plotësisht me Edi Ramën, tani ajo po përkufizohet nga rezistenca kundër tij.

Imazhi ikonik i vendit nuk është më koka e Edi Ramës, në formë fotografike apo arkitekturore, por bulevardet dhe sheshet plot me njerëz që mbajnë flamingo.

Por ky është vetëm hapi i parë.

Tani që vëmendja është përqendruar te rezistenca, po u kushtohet vëmendje edhe librave të panumërt, shkrimeve në Substack, gazetarisë investigative dhe doktoraturave mbi atë që po ndodh në vend.

Po bëhet e qartë se mes shqiptarëve ekziston një elitë intelektuale e jashtëzakonshme dhe një angazhim i fuqishëm idealist.

Demonstratat kanë aktivizuar gjithashtu diasporën, e cila ka marrë pjesë masivisht në protestat në atdhe.

Në fakt, nën Ramën vendi është izoluar plotësisht nga bota e jashtme, duke i mbyllur shqiptarët pas një muri kitschi neoliberal të fryrë dhe duke i poshtëruar sistematikisht si të prapambetur dhe të pazhvilluar.

Pas më shumë se një dekade paralajmërimesh nga intelektualët disidentë shqiptare dhe nga disa gazetarë të huaj, muri i marrëzive duket se më në fund po shembet, pikërisht falë ndërhyrjes së familjes Tramp.

Hapi i tretë është që shoqëria e vërtetë civile shqiptare, e përbërë si nga shqiptarët brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora, të arrijë të rindërtohet mes rrënojave të pothuajse njëzet vjetëve të pushtetit Rama.

Parashikimi im është se rishpikja e një demokracie pjesëmarrëse dhe transparente do të sjellë një lulëzim të inteligjencës projektuese dhe krijimtarisë, që do të shërbejë si shembull për të gjithë ne.

Ndoshta do të ketë tema dhe sfida për të cilat shqiptarët e rinj do të dëshirojnë të angazhojnë specialistë nga Holanda. Kush e di, ndoshta një ditë edhe arkitektë!

Por pres që qëndrimi i Shqipërisë të jetë:

Mos na telefononi. Do t’ju telefonojmë ne./de Architect