Anthony Gordon e nisi në mënyrë spektakolare aventurën e tij te Barcelona, duke vendosur një rekord të veçantë në debutimin e tij në La Liga.
Sulmuesi anglez e nisi ndeshjen ndaj Elches nga stoli, por u aktivizua në pjesën e dytë dhe iu deshën vetëm gjashtë minuta për të lënë gjurmë.
Vetëm dy minuta pas inkuadrimit, Gordon asistoi Raphinhën për golin e tretë të Barcelonës, ndërsa katër minuta më vonë dhuroi asistimin e dytë për Fermín López, i cili realizoi për 4-0.
Me këto dy asistime, Gordon u bë lojtari i parë në shekullin XXI që regjistron dy asistime në debutimin e tij në La Liga.
Barcelona triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Elches, ndërsa Gordon e cilësoi debutimin si fillimin perfekt.
“Pesë gola të shënuar, asnjë të pësuar. Jam shumë i lumtur”, deklaroi anglezi, duke shtuar se është ndier menjëherë si në shtëpi në Barcelonë.
“Që kur kam ardhur ndihem shumë mirë. Djemtë më kanë bërë të ndihem shumë i mirëpritur. Ndihem tashmë si në shtëpi dhe besoj se do të përmirësohem gjithnjë e më shumë sa më gjatë të jem këtu”, u shpreh Gordon.
26-vjeçari pritet të jetë në garë për një vend në formacionin titullar me Karim Adeyemin, i cili gjithashtu shënoi në debutimin e tij.
Pas kësaj paraqitjeje, Gordon tashmë pret ndeshjen e radhës të Barcelonës, që të enjten ndaj Athletic Bilbaos, me synimin për të vazhduar startin mbresëlënës në La Liga.







