Ballina Kronika Ergys Agasi në kërkim prej dhjetorit 2025, SPAK njoftim zyrtar pas arrestimit...

Ergys Agasi në kërkim prej dhjetorit 2025, SPAK njoftim zyrtar pas arrestimit të të shumëkërkuarit

81
0

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar njoftimin zyrtar lidhur me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, duke zbardhur dinamikën e operacionit, akuzat e rënda penale që rëndojnë mbi të, si dhe periudhën e saktë se kur ai është caktuar me masë arresti në burg.

Sipas SPAK-ut, arrestimi i Agasit u realizua më 26 gusht 2026, pas një pune disajavore të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Agasi u prangos në autostradë, në hyrjen jugore të qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave.

Në momentin e ndalimit, ai shoqërohej nga shtetasi U. Sh. (Uljan Shpataraku), ish-punonjës policie. Shpataraku është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” (neni 302/2 i Kodit Penal).

Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme zbardh edhe kohëzgjatjen e arratisë së tij. Agasi ishte regjistruar si person nën hetim më 5 dhjetor 2025 në kuadër të procedimit penal nr. 20/1.

Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), me vendimin nr. 125 të datës 15 dhjetor 2025, pat caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” (neni 238 i K.Pr.Penale). Ky vendim i ishte dërguar Policisë së Shtetit për ekzekutim më 17 dhjetor 2025, çka do të thotë se biznesmeni ndodhej zyrtarisht në kërkim prej më shumë se 8 muajsh.

Akuzat e rënda: Nga tenderat te grupi i strukturuar kriminal

Ergys Agasi po hetohet nga SPAK për një sërë veprash të rënda penale të kryera në kuadër të krimit të organizuar:

-Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës (neni 170/b i K.Penal);

-Heqja e paligjshme e lirisë (neni 110 i K.Penal);

-Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal (nenet 258, 28/4, 333/a, 334);

-Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë (neni 244/2);

-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (neni 287);

-Grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata apo grupi i strukturuar (nenet 333/a dhe 334).