Ballina Bota Dorëzohet Zuckerberg, “Meta” bie dakord të paguajë mbi 17 mld dollarë për...

Dorëzohet Zuckerberg, “Meta” bie dakord të paguajë mbi 17 mld dollarë për sigurinë e fëmijëve në 29 shtete amerikane!

41
0

“Meta”, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka arritur një marrëveshje me 29 shtete amerikane pas akuzave se platformat e saj kanë ndikuar negativisht te fëmijët dhe adoleshentët.

Sipas marrëveshjes, Meta do të paguajë deri në 17.1 miliardë dollarë gjatë 10 viteve. Kompania nuk ka pranuar shkelje, por ka rënë dakord të zbatojë një sërë ndryshimesh në platformat e saj, me synim rritjen e sigurisë së përdoruesve të mitur.

Një nga masat kryesore është vendosja e një kufiri të paracaktuar prej dy orësh përdorim në ditë për përdoruesit nën 18 vjeç. Ky kufizim mund të ndryshohet vetëm nga prindi. Përveç kësaj, Facebook dhe Instagram do të kenë një bllokim automatik gjatë natës, nga mesnata deri në orën 06:00, i cili gjithashtu mund të hiqet vetëm nga prindërit.

Për adoleshentët do të kufizohen edhe njoftimet gjatë orëve të natës dhe gjatë orarit të shkollës, ndërsa do të përmirësohen mjetet që u lejojnë prindërve të kontrollojnë përdorimin e platformave nga fëmijët e tyre.

Ndryshime do të ketë edhe në mënyrën se si shfaqet përmbajtja. Përdoruesit nën 18 vjeç nuk do të shohin numrin e pëlqimeve dhe reagimeve në postime, ndërsa do të kufizohen disa filtra që lidhen me procedurat kozmetike. Adoleshentët do të kenë gjithashtu mundësinë të përdorin një feed jo të personalizuar, në mënyrë që përmbajtja të mos përshtatet automatikisht bazuar në aktivitetin e tyre.

Marrëveshja parashikon edhe një mekanizëm më të shpejtë për raportimin e përmbajtjeve potencialisht të dëmshme. Meta do të duhet t’u përgjigjet një pjese të madhe të këtyre raportimeve brenda gjashtë orëve.

Një tjetër pikë e rëndësishme është verifikimi i moshës. Kompania do të duhet të forcojë masat për identifikimin e përdoruesve nën 18 vjeç dhe të zbulojë e largojë fëmijët nën 13 vjeç nga platformat.

Zbatimi i këtyre masave do të kontrollohet edhe nga një auditor i pavarur, ndërsa Meta do të jetë e detyruar të raportojë dhe të justifikojë mënyrën se si po zbaton detyrimet e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, Meta ka kërkuar që masa të ngjashme të vendosen edhe nga TikTok dhe YouTube, duke argumentuar se adoleshentët mund të zhvendosen lehtësisht nga një platformë në tjetrën nëse kufizimet aplikohen vetëm në një aplikacion.

Rreth 70% e fondeve të marrëveshjes, ose rreth 12.7 miliardë dollarë, do të shkojnë te shtetet që morën pjesë në procesin gjyqësor. Pjesa tjetër do të lidhet me përmbushjen e kushteve që përfshijnë edhe masat e mundshme të TikTok dhe YouTube.

Prokurori i Përgjithshëm i Washington DC, Brian Schwalb, e ka cilësuar marrëveshjen si një “fitore monumentale” për shëndetin publik të të rinjve.

Meta, ndërkohë, e ka përshëndetur marrëveshjen dhe e ka cilësuar si një hap drejt krijimit të një standardi të ri për sigurinë e adoleshentëve në rrjetet sociale.