Ballina Aktualitet Rrogozhina kundër reformës territoriale të Ramës: Qytetarët kërkojnë që zëri i tyre...

Rrogozhina kundër reformës territoriale të Ramës: Qytetarët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet

126
0

Në Rrogozhinë u zhvillua sot dëgjesa e fundit publike në kuadër të konsultimit për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, ku qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë shprehën kundërshtimin e tyre të fortë ndaj propozimit që prek të ardhmen administrative të Bashkisë Rrogozhinë.

Gjatë dëgjesës, qëndrimi i pjesëmarrësve ishte i qartë: Rrogozhina duhet të vijojë të jetë bashki më vete dhe çdo ndryshim territorial duhet të marrë në konsideratë vullnetin e qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, z. Andi Proshka, argumentoi se Rrogozhina i ka kapacitetet e nevojshme për të vijuar funksionimin si njësi e qeverisjes vendore dhe kundërshtoi propozimin e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0.

Në fjalën e tij, kryetari kërkoi që procesi të mos mbetet vetëm një procedurë formale konsultimi, por që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të merret realisht në konsideratë përpara çdo vendimmarrjeje.

Kjo ishte dëgjesa përmbyllëse e konsultimit publik në territorin e Bashkisë Rrogozhinë. Edhe gjatë dëgjesave të zhvilluara më herët në njësitë administrative, sipas qëndrimeve të shprehura nga komunitetet, propozimi është kundërshtuar fort.

Përfaqësuesit vendorë dhe qytetarët kërkojnë që çdo vendim për të ardhmen administrative të Rrogozhinës të mbështetet në argumente konkrete dhe, mbi të gjitha, të respektojë vullnetin e komunitetit.

Mesazhi i dalë nga dëgjesa e sotme ishte i qartë: Rrogozhina kërkon të dëgjohet dhe të vendosë për të ardhmen e saj mbi bazën e kapaciteteve, nevojave dhe vullnetit të qytetarëve të saj.