Ballina Ekonomia Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, shumica në...

Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, shumica në Tiranë

34
0

29 339 kompani me kapital 100% të huaj ose të përbashkët janë regjistruar në Shqipëri deri në korrik 2026, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Informacioni është bërë publik nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA.

Nga kompanitë e regjistruara, 19 370 janë aktive, ose rreth 66%, duke ruajtur nivele të ngjashme me një vit më parë, kur kompanitë aktive përbënin 65% të totalit. Pjesa tjetër, rreth 34%, kanë status joaktiv, përfshirë subjektet pasive, të çregjistruara, të falimentuara, të pezulluara ose në likuidim e procedurë falimenti.

Sipas shpërndarjes gjeografike, Tirana vijon të jetë qarku me përqendrimin më të madh të kompanive aktive me kapital të huaj ose të përbashkët. Në kryeqytet operojnë 12 814 kompani, ose 66,2% e totalit. Pas Tiranës renditen Durrësi me 13,4% dhe Vlora me 7,8%.

Për sa i përket origjinës së kapitalit, kompanitë me kapital italian kanë praninë më të lartë në Shqipëri, të ndjekura nga kompanitë me origjinë nga Kosova, Turqia, Greqia dhe SHBA-ja.

Kompanitë me kapital të huaj ose të përbashkët janë të pranishme në një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike. Shërbimet zënë peshën më të madhe, me 41,1% të totalit, të ndjekura nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 26%.

Ndër sektorët e tjerë me prezencë të konsiderueshme janë industria përpunuese me 9,6%, informacioni dhe komunikacioni me 8,8% dhe ndërtimi me 7,6%.