Pamela Anderson, në moshën 58-vjeçare, po ndërton një kapitull të ri të karrierës, larg imazhit që e bëri të famshme në vitet ’90. Së fundmi, ajo ka bashkëpunuar me markën e mobiljeve dhe dekorit Olive Ateliers, duke sjellë koleksionin “The Sentimentalist”, të frymëzuar nga kujtimet e shtëpisë bregdetare të gjyshërve të saj në Kanada.
Por ndryshimi i saj nuk ndalet te dizajni. Anderson ka publikuar një libër me receta vegane, ka zhvilluar markën e saj të bukurisë Sonsie dhe ka vijuar të angazhohet në aktrim. Roli në filmin “The Last Showgirl” i solli një nominim për Golden Globe dhe vlerësime të shumta, duke rikthyer vëmendjen te aftësitë e saj si aktore.
Ajo ka zgjedhur gjithashtu një qasje më natyrale ndaj imazhit të saj, duke u shfaqur publikisht pa grim dhe duke deklaruar se i pëlqen të plaket pa u përpjekur të fshehë moshën. Sot, Anderson e ndan kohën mes projekteve të reja, kopshtit të saj në ishullin Vancouver dhe familjes. Dy djemtë e saj, Brandon Thomas Lee dhe Dylan Jagger Lee, janë gjithashtu të përfshirë në projektet e saj profesionale.
Me disa filma të rinj në horizont dhe projekte në teatër e dizajn, Pamela Anderson duket se nuk po përpiqet të rikthejë të shkuarën, por po ndërton një identitet të ri artistik, shumë larg figurës së seks-simbolit të viteve ’90.







