Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, duke komentuar protestën qytetare që vijon prej 89 ditësh.
Berisha deklaroi se protesta e qytetarëve e ka goditur Ramën në pikën e tij më të dobët, ndërsa pretendoi se sondazhet e fundit e nxjerrin kryeministrin me 27 pikë rënie.
Sipas tij, Rama ka kaluar në “overdozë politike” dhe, përballë protestuesve, ka përdorur fillimisht sulme e kërcënime dhe më pas tentativa për t’i joshur politikisht.
Berisha e akuzoi gjithashtu kryeministrin se refuzon dorëheqjen për shkak të interesit për të mbrojtur, sipas tij, “vjedhjen e qindra milionë eurove” që u janë marrë shqiptarëve. Ai e cilësoi Ramën si “kryeministrin më të dështuar ndërkombëtarisht”.
“Rama është kryeministri më i dështuar ndërkombëtarisht. Protesta e ka çuar në overdozë politike. U bë palaço, kaloi në sulme dhe kërcënime ndaj proteuseve. Asnjë njeri nuk e trembi dot. U vesh si flamingo, i mbiu në bark Lubia.
I skaduar. Pasi përdori ndaj tyre të gjithë fjalorin e keq, i ofroi atyre besën dhe i quante sorra dhe kobra dhe tani iu nxori pasqyrën. Dëshpërimi i Ramës ka arsye të fortë. Protesta e ka plagosur atë për vdekjen në pikën e tij më të dobët. Sondazhet e kanë nxjerrë me 27 pikë në rënie Ramën.
Ai ka marrë fund. Nuk ka diell. Besë, besëpreri, satelit që ta shpëtojë. Dorëheqja për Ramën do të ishte skenari më i lehtë për të. Ai as lider dhe as burrë nuk u bë dot kurrë. Vodhi, në mëngjes e në gjumë e zgjuar, qytetarët e këtij vendi.
Ndaj ai edhe pse ka popullin në shesh prej 3 muajsh, nuk mendon dorëheqjen. Në rastin e Lubisë, Ramës i duhet pushteti për të mbrojtur vjedhjen e qindra mln eurove që iu ka marrë shqiptarëve.”, tha Berisha.







