Kryeministri malazez Milojko Spajiç thotë se shërbimet kanë informacione serioze për një veprimtari të koordinuar hibride, që synon destabilizimin e Malit të Zi në një moment kyç të rrugës drejt BE-së. “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve, zbulon se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Serbinë. Një akuzë e rëndë që prek drejtpërdrejt Shqipërinë vjen nga Mali i Z.
Kryeministri malazez Milojko Spajiç ka deklaruar se shërbimet disponojnë informacione serioze operative për një sulm hibrid të koordinuar, ku sipas tij janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy vendeve të rajonit.
Spajiç nuk i përmendi publikisht shtetet. Por gazeta e njohur malazeze “Vijesti” zbulon, duke iu referuar disa burimeve, se dy vendet për të cilat flet kryeministri janë Shqipëria dhe Serbia.
Sipas Spajiçit, operacioni pritet të shoqërojë mbylljen e kapitujve të rinj të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian dhe synon destabilizimin e vendit.
“Kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuar, në të cilën janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit. Sipas informacioneve tona, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, deklaroi Spajiç.







