Ballina Aktualitet Skandali i Aeroportit të Vlorës/ Media ndërkombëtare: Shqipëria përballet me dy padi...

Skandali i Aeroportit të Vlorës/ Media ndërkombëtare: Shqipëria përballet me dy padi në arbitrazh

29
0

Shqipëria përballet me kërcënimin e dy proceseve të veçanta të arbitrazhit ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës, ndërsa konflikti për koncesionin dhe vonesat në përfundimin e projektit po hyn në një fazë të re ligjore.

Një nga projektet më të shumëpërfolura të infrastrukturës shqiptare po përballet me një krizë të dyfishtë juridike. Sipas revistës ‘Global Arbitration Review’, Shqipëria rrezikon të përballet me dy pretendime të ndara arbitrazhi që lidhen me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Në njërin front është MABCO Constructions, kompania zvicerane e lidhur me biznesmenin dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli. Kompania ka paralajmëruar nisjen e një procedure investimi kundër Shqipërisë në kuadër të ICSID, mekanizmi ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të investimeve.

Në frontin tjetër qëndron vetë kompania koncesionare e aeroportit, e cila, sipas raportimeve, po shqyrton një procedurë të veçantë në LCIA, arbitrazhi ndërkombëtar me seli në Londër. Kjo do të thotë se i njëjti projekt mund të përfundojë në dy beteja të ndryshme ligjore ndërkombëtare.

Në qendër të konfliktit ndodhet vendimi i autoriteteve shqiptare për të ndërmarrë procedurat për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.

Pacolli ka deklaruar se MABCO ishte financiarisht e ekspozuar me më shumë se 320 milionë euro dhe se, sipas saj, pengesat institucionale dhe konflikti mes ortakëve e kanë bërë të pamundur përfundimin normal të projektit. Kompania pretendon gjithashtu se ishte penguar të hynte në kantier dhe të vazhdonte punimet.

Kështu krijohet një kontradiktë thelbësore: shteti shqiptar argumenton se koncesionari nuk e përmbushi detyrimin për ta përfunduar aeroportin, ndërsa investitori pretendon se vetë institucionet shqiptare kanë kontribuar në pamundësimin e përfundimit të tij.

Nëse pretendimet pranohen nga tribunalet përkatëse, Shqipëria mund të përballet me kërkesa për kompensim, interesat dhe kostot ligjore. Çështja bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se konflikti mes aksionerëve ka paralizuar për muaj me radhë punimet.