Ballina Ekonomia Transporti, sipas standardeve të BE-së: Miratohen rregullat e reja për rrjetin TEN-T,...

Transporti, sipas standardeve të BE-së: Miratohen rregullat e reja për rrjetin TEN-T, afate për modernizimin e infrastrukturës

36
0

Shqipëria do të zbatojë standardet e reja evropiane për zhvillimin e rrjetit rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror që është pjesë e rrjetit trans-evropian të transportit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar zbatimin e rregullores së Bashkimit Evropian për TEN-T, që përcakton kërkesat që duhet të përmbushë infrastruktura, si dhe afatet për realizimin e tyre.

Urdhri, i botuar në Fletoren Zyrtare, përafron plotësisht rregulloren e Bashkimit Evropian të vitit 2024 dhe zëvendëson rregullat e miratuara në Shqipëri në vitin 2020. Dokumenti përfshin transportin hekurudhor, detar, rrugor dhe ajror, transportin multimodal, infrastrukturën për karburantet alternative dhe sistemet digjitale të transportit.
Sipas rregullores, zhvillimi i rrjetit ndahet në tre faza. Rrjeti kryesor synohet të përfundojë deri në fund të vitit 2030, rrjeti kryesor i zgjeruar deri në fund të vitit 2040, ndërsa për rrjetin gjithëpërfshirës afati shkon deri më 31 dhjetor 2050. Dokumenti sqaron se afati i vitit 2030 është objektiv strategjik planifikimi dhe nuk paragjykon afatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Standardet që duhet të arrihen ndryshojnë sipas llojit të transportit. Për rrugët e rrjetit kryesor dhe atij të zgjeruar përcaktohen kërkesa që lidhen me mënyrën e ndërtimit, ndarjen e drejtimeve të lëvizjes dhe eliminimin e kryqëzimeve në nivel, ndërsa për hekurudhat vendosen kërkesa për kapacitetin dhe funksionimin e linjave. Rregullat e reja shtrihen edhe në qytetet. Për nyjet urbane të rrjetit trans-evropian parashikohet miratimi dhe monitorimi, deri në fund të vitit 2027, i planeve të qëndrueshme të lëvizshmërisë urbane. Ato duhet të përfshijnë masa për integrimin e formave të ndryshme të transportit, nxitjen e lëvizshmërisë me emetime zero dhe të ulëta, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës. Deri në vitin 2030 parashikohet gjithashtu zhvillimi i qendrave multimodale për udhëtarët.

Një pjesë e rëndësishme e rregullores lidhet me qëndrueshmërinë mjedisore dhe klimatike të investimeve. Rrjeti duhet të zhvillohet duke nxitur transportin me emetime të ulëta dhe zero, përdorimin e karburanteve alternative dhe infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa projektet duhet të marrin në konsideratë ndikimet në ndotjen e ajrit, zhurmën dhe ekosistemet.