Ballina Europë Holanda jep “alarmin e kuq” për pilulat ekstazi në formën e Trump:...

Holanda jep “alarmin e kuq” për pilulat ekstazi në formën e Trump: Mund të jenë vdekjeprurëse

61
0

Një institut shëndetësor në Holandë ka lëshuar një “alarm të kuq” për disa pilula ekstazi në formën e kokës së presidentit amerikan Donald Trump, pasi analizat treguan se ato përmbajnë nivele shumë të larta të një substance të rrezikshme.

Instituti Trimbos njoftoi se disa prej pilulave janë dorëzuar gjatë muajit gusht në qendrat e testimit. Ato përmbanin sasi të larta të PMMA-së, një substancë e ngjashme me MDMA-në, përbërësin kryesor të ekstazisë.

“Mos e përdorni këtë pilulë në asnjë rrethanë”, paralajmëroi instituti, duke theksuar se ajo mund të shkaktojë rritje të rrezikshme të temperaturës së trupit dhe pasoja fatale.

Rreziku shtohet edhe për faktin se efektet e PMMA-së shfaqen me vonesë. Kjo mund t’i bëjë përdoruesit të mendojnë se pilula nuk ka vepruar dhe të marrin një dozë tjetër, duke rritur mundësinë e mbidozës.

Simptomat mund të përfshijnë të përziera, rritje të rrahjeve të zemrës dhe konvulsione.

Pilulat kanë portretin e Trump në njërën anë, ndërsa në anën tjetër janë stampuar fjalët “Trump” dhe “NL”.

Deri tani nuk janë raportuar raste vdekjesh apo probleme të rënda shëndetësore të lidhura me këto pilula.

Një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe në vitin 2017, kur policia gjermane sekuestroi rreth 5 mijë pilula ekstazi në formën e kokës së Trump.