Ballina Kulturë Ligji i të pafajshmëve: Pararendësi mesjetar irlandez

Ligji i të pafajshmëve: Pararendësi mesjetar irlandez

54
0

Konventat e Gjenevës, të nënshkruara në gusht të vitit 1949, pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, konsiderohen përgjithësisht si standardi më i lartë i së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ato përcaktojnë rregullat për trajtimin e luftëtarëve dhe civilëve gjatë luftës. Por më shumë se 12 shekuj përpara tyre, në Irlandën e dhunshme të shekullit VII, një murg kishte hartuar një ligj që synonte të mbronte njerëzit e pafajshëm nga pasojat e luftës.

Adomnán, abati i Iona-s, manastirit të madh të urdhrit të Shën Kolumbës, në një ishull pranë bregut perëndimor të Skocisë, ishte një njeri me shumë talente. I njohur për biografinë e Shën Kolumbës, ai ishte studiues, mësues, mentor, poet, hartues kalendarësh dhe negociator. Ai njihej gjithashtu për përpjekjet e tij për të siguruar garanci ligjore nga mbretërit piktë, britanikë dhe irlandezë, që gratë, fëmijët, klerikët dhe të tjerë të mbroheshin nga dhuna, veçanërisht gjatë luftërave.

Konfliktet ishin të zakonshme në Britaninë dhe Irlandën e mesjetës së hershme. Këtë e dimë nga burimet e shkruara të kohës, si Analet e Tigernachut, Historia kishtare e popullit anglez e Bedës dhe Chronicon Scotorum. Popullsitë civile shpesh përfundonin duke u bërë viktima të dhunës ushtarake.

Adomnán e njihte shumë mirë traumën që lufta shkaktonte te njerëzit që nuk merrnin pjesë në luftime. Një herë, ai dhe nëna e tij, Ronnat, kishin parë një pamje rrëqethëse: një fushëbetejë e mbushur me trupat e gjymtuar të nënave dhe foshnjave. Ishte pikërisht Ronnat ajo që e nxiti të birin të bënte diçka për vrasjen e të pafajshmëve gjatë luftërave.

Gjatë një misioni diplomatik në mbretërinë veriore britanike të Northumbria-s, Adomnán bindi mbretin e saj, Aldfrithin, të lironte në kujdesin e tij disa civilë të zënë robër gjatë luftës. Me siguri, Adomnán dëgjoi dëshmitë e tyre për atë që kishin përjetuar ndërsa i shoqëronte në kthimin e tyre drejt Irlandës. Përvoja të tilla e shtynë Adomnánin të përpiqej të ndryshonte qëndrimin e njerëzve të fuqishëm ndaj të pambrojturve dhe të pafajshmëve, jo vetëm gjatë luftës, por në shoqëri në përgjithësi.

Lex Innocentium

Kështu, në vitin 697, në një sinod kishtar në Birr, në qarkun e Ofalisë të Irlandës, Adomnán arriti të fitonte mbështetje për vizionin e tij për mbrojtjen e civilëve. I quajtur Lex Innocentium (Ligji i të Pafajshmëve), ai u bë i njohur si Ligji i Adomnánit, ose Cáin Adomnáin. Sipas teksteve që kanë mbijetuar, Lex Innocentium mori mbështetjen e rreth 91 mbretërve irlandezë, piktë dhe të Britanisë së veriut, si dhe të peshkopëve, abatëve dhe figurave të tjera të larta. Të gjithë të pranishmit duhej të betoheshin se do ta zbatonin ligjin.

Lex Innocentium ruhet në dy dorëshkrime: një kopje e shekullit XV, e mbajtur në bibliotekën Bodleian të Oksfordit, dhe një version i shekullit XVII, që ruhet në Bibliothèque Royale në Bruksel. Deri në shekullin XI, tekstit origjinal i ishin shtuar materiale biografike, por lista e garantuesve dhe dispozitat ligjore vetë konsiderohen autentike.

Ndër të tjera, Lex Innocentium përcakton një sërë dënimesh për këdo që shpallej fajtor për ushtrim dhune ndaj grave, fëmijëve ose klerikëve. Në shumicën e rasteve, dënimet ishin gjoba në shuma të ndryshme, në varësi të llojit të dhunës së kryer, por parashikoheshin edhe ekzekutimi, gjymtimi fizik dhe pendesa e detyruar në një manastir.

Jo të gjithë e pranuan propozimin e Adomnánit. Një grup mbretërish irlandezë kërcënuan se do ta vrisnin, në vend që të pranonin diçka që i ngjante çlirimit të grave. Irlanda e kohës së Adomnánit ishte shumë patriarkale dhe shoqëria organizohej sipas rangut, statusit dhe pasurisë. Sistemi ligjor favorizonte burrat, sidomos ata që kishin pasuri dhe pushtet.

Megjithëse gratë kishin njëfarë lirie veprimi në çështje si martesa dhe divorci, të drejtat e tyre ligjore ishin shumë të kufizuara.

Ka të ngjarë që Adomnán ta kishte parashikuar kundërshtimin ndaj Lex Innocentium, por ai u mor shpejt me kundërshtarët duke i mallkuar ata dhe familjet e tyre me ndëshkim hyjnor. Kjo mund t’i duket e çuditshme mendjes moderne, por bota mesjetare ishte e mbushur me besëtytni dhe Adomnán e kuptonte se mund t’i përdorte ato kundër kundërshtarëve të tij.

Të thuash të vërtetën përballë pushtetit

Adomnán nuk kishte frikë t’u thoshte të fuqishmëve atë që mendonte dhe kjo e ndihmonte fakti që mbreti Aldfrith i Northumbrias kishte qenë dikur nxënës i tij, ashtu si edhe mbretër të tjerë. Me miq të tillë, nuk është çudi që Adomnán kishte besimin dhe qetësinë e nevojshme për të lëvizur mes qarqeve të elitës, duke u përpjekur të krijonte një koalicion njerëzish të gatshëm ta mbështesnin.

Nuk është e qartë se si zbatohej saktësisht Lex Innocentium, madje as për sa kohë u respektua. Ligji u rinovua të paktën një herë pas vdekjes së Adomnánit dhe u përmend me vlerësim në burime të mëvonshme. Por nuk ka mbijetuar asnjë proces gjyqësor real i lidhur me të.

Mund të jetë që Ligji i Adomnánit përfaqësonte një ideal që nuk mund të arrihej kurrë plotësisht, të paktën jo në kohën kur u hartua. Ajo që bie më shumë në sy në historinë e Lex Innocentium është arritja e jashtëzakonshme e Adomnánit për të siguruar mbështetjen e kaq shumë njerëzve të rëndësishëm për propozimin e tij.

Ligji i Adomnánit është përshkruar ndonjëherë si një pararendës irlandez mesjetar i Konventave të Gjenevës, një krahasim që është hedhur poshtë si një dëshirë për ta paraqitur historinë më bukur nga ç’ka qenë në të vërtetë. Por çfarë janë konventat, nëse jo një seri nismash të lindura si përgjigje ndaj periudhave të errëta, një përmbledhje përpjekjesh të njerëzve të ndërgjegjshëm, të vendosur t’i bënin sadopak më të mira kushtet e njerëzve të zënë në mes të konflikteve?

Në fund të fundit, Lex Innocentium na jep një mësim të rëndësishëm: progresi nuk është i përhershëm nëse nuk ruhet dhe respektohet. Ndoshta pikërisht kjo është trashëgimia e vërtetë e Ligjit të Adomnánit.