Ballina Aktualitet Transportoi naftë ruse drejt Turqisë, Kapiteneria e portit Durrës ndalon hyrjen në...

Transportoi naftë ruse drejt Turqisë, Kapiteneria e portit Durrës ndalon hyrjen në radë te anijes ‘Hanuman’

51
0

Kapiteneria e Portit të Durrësit ka ndaluar më 28 gusht 2026 hyrjen në radën e portit të anijes “HANUMAN”, e identifikuar nga inteligjenca ushtarake ukrainase si pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” ruse.

Anija, me numër IMO 9295048 dhe me flamur të Sierra Leones, rezulton në databazën e GUR-it, Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, si një prej mjeteve detare të përdorura për transportin e naftës dhe produkteve të naftës ruse.

Sipas të dhënave të publikuara nga GUR dhe të përditësuara më 10 qershor 2026, “HANUMAN” është përfshirë në listën e “shadow fleet” për shkak të dyshimeve se ka transportuar produkte energjetike ruse në kundërshtim me regjimin e embargos dhe mekanizmin e kufizimit të çmimit të vendosur nga vendet e G7-s dhe Bashkimi Europian.

Inteligjenca ukrainase pretendon se në shtator të vitit 2025 anija transportoi mbi 30 mijë ton produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk drejt Turqisë.

“Flota hije” është termi që përdoret për një rrjet anijesh që dyshohet se shërbejnë për të mundësuar eksportet ruse të naftës dhe produkteve energjetike duke shmangur ose anashkaluar kufizimet e vendosura pas luftës në Ukrainë.

Në këto kushte, Kapiteneria e Portit të Durrësit ka vendosur të mos lejojë hyrjen e anijes “HANUMAN” në radën e portit shqiptar.

Vendimi vjen në një kohë kur vendet perëndimore kanë shtuar kontrollet dhe masat ndaj anijeve të identifikuara si pjesë e flotës së përdorur nga Rusia për transportin e naftës dhe produkteve të saj energjetike.