Ballina Europë Të shtëna me armë zjarri në një hipodrom në Zvicër, raportohet për...

Të shtëna me armë zjarri në një hipodrom në Zvicër, raportohet për disa viktima

72
0

Disa të shtëna me armë janë dëgjuar gjatë natës në hipodromin e Aaraus, në Zvicër. Ngjarja është raportuar rreth orës 02:30 të mëngjesit të së dielës.

Një dëshmitar ka treguar se ka dëgjuar sirena, ndërsa në zonë janë angazhuar forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikës.

Policia e Aargaut njoftoi në rrjetin social X se bëhet fjalë për “disa viktima” dhe se situata është klasifikuar si një “situatë e veçantë”.

Në këtë kategori përfshihen ngjarje të rënda policore, si pengmarrjet, sulmet e armatosura, rrëmbimet apo aktet terroriste.

Deri tani, policia nuk ka dhënë detaje për autorin apo autorët e dyshuar dhe as për motivin e ngjarjes.

Zona përreth hipodromit është rrethuar në një perimetër të gjerë, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg zonës dhe të mos afrohen pranë vendngjarjes.

Operacioni policor vijonte edhe rreth orës 07:00 të mëngjesit. Për shkak të ndërhyrjes, pishina publike e Aaraus është mbyllur deri në një njoftim të dytë.