Pas pikëpyetjeve të ngritura për listën e fituesve të Startup Albania, Ministria ka zgjedhur të përgjigjet në mënyrën më të çuditshme të mundshme: Jo me dokumente, jo me sqarime për kriteret, jo me transparencë të plotë mbi vlerësimin, por me një aplikant që nuk ka fituar dhe që del i kënaqur nga fakti që nuk ka fituar.
Ministrja Delina Ibrahimaj ka publikuar sot historinë e Kreshnikut, një aplikant që këtë herë nuk ishte mes fituesve të Startup Albania, por që sipas saj vlerëson transparencën e procesit dhe u bën thirrje të rinjve të aplikojnë. Pra, në kulmin e debatit publik për mënyrën se si janë ndarë rreth 6 milionë euro fonde publike, ministria nuk sjell përgjigje për fituesit problematikë, por një dëshmi morale nga një humbës i lumtur.
Mesazhi është i bukur në pamje: çdo ide meriton një mundësi, çdo aplikim është një hap përpara, të provosh, të marrësh feedback, të rikthehesh më i fortë. Por problemi nuk është motivimi i të rinjve. Problemi është nëse paratë publike janë ndarë sipas kritereve, nëse fituesit i plotësojnë kushtet, nëse projektet janë realisht startup-e dhe nëse procesi ka qenë aq transparent sa po reklamohet.
Edhe më interesante është fjalia tjetër e ministres: “Këtë vit, 20 startup-e fituese kishin aplikuar edhe më parë. U rikthyen, përmirësuan projektet e tyre dhe ia dolën.” Në vend që kjo të shuajë dyshimet, i shton ato. Sepse pyetja që shtrohet nuk është nëse dikush ka të drejtë të aplikojë më shumë se një herë, por pse emrat dhe projektet përsëriten, si janë vlerësuar, çfarë ndryshoi realisht nga një thirrje në tjetrën dhe pse publiku duhet të mjaftohet me postime motivuese, kur bëhet fjalë për miliona euro nga buxheti.
Në një proces normal, ministria do të publikonte tabelat e plota të pikëzimit, arsyetimin për çdo fitues, përputhjen me kriteret e rregullores dhe dokumentacionin që justifikon financimin. Në vend të kësaj, na ofrohet një histori suksesi pa sukses: Një aplikant që nuk fitoi, por që shërben për të certifikuar lumturinë e procesit.
Kjo është ndoshta faza më e re e komunikimit publik: Kur nuk bind dot me fituesit, del dhe bind me humbësit. Dhe kur nuk i jep dot përgjigje pyetjes kryesore se kush i mori paratë dhe pse, e kthen debatin në “startup journey”. Vetëm se këtu nuk po flasim për një seminar motivimi. Po flasim për fonde publike. Dhe për fondet publike nuk mjafton një video, një buzëqeshje dhe një aplikant që thotë se është i lumtur që nuk fitoi./VNA







