Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka shënuar sot ditën e saj të 92-të, ku qytetarët e grumbulluar kanë zgjedhur sërish të përcjellin mesazhet e tyre përmes pankartave me ironi dhe akuza të forta ndaj ekzekutivit.
Në fokus të reagimit të protestuesve ka qenë nisma më e fundit e kreut të qeverisë, e emërtuar si kodi i “Besës”, të cilën qytetarët e kanë cilësuar si mashtrimin dhe propagandën e radhës.
“Ju me mbledhje në Lundër e me luks pa mbarim, kodi i ‘Besës’ tuaj është thjesht një mashtrim”, shkruhej në një nga pankartat e shfaqura në tubim, duke thumbuar takimet e mazhorancës dhe nivelin e jetesës së zyrtarëve.
Në një tjetër pankartë me ton të ashpër u vu theksi te zgjatja e pushtetit dhe retorika e kryeministrit, “13 vjet në tradhti, sot na flet për virgjëri. Mos na shit fjalë magjike nuk ka kurvë me prani besnike”.
Protestuesit ngritën gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si po melet vendi, ku përmes mesazhit “Republika nuk është pronë”, i referoheshin akuzave se kryeministri po e trajton Shqipërinë si pasuri private. Protesta ka vijuar me thirrje për largimin e kabinetit qeveritar, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se qëndresa e tyre në shesh do të vazhdojë







