Ballina Aktualitet Reforma territoriale, identiteti vendos “veto”: disa bashki ruhen pavarësisht treguesve

Reforma territoriale, identiteti vendos “veto”: disa bashki ruhen pavarësisht treguesve

72
0

Reforma e re territoriale nuk parashikon që çdo bashki e vogël apo me tregues të dobët financiarë të humbasë automatikisht statusin. Në metodologjinë mbi të cilën është ndërtuar harta e re me 46 bashki, identiteti i komunitetit, prania e pakicave dhe largësia nga një qendër tjetër mund të vendosin “veto” ndaj argumentit financiar dhe ekonomik për bashkim.

Relacioni i projektligjit e thotë shprehimisht se bashkitë me veçori të theksuara identiti, kulturore, historike apo minoritare, duke përmendur si shembuj Pustecin, Finiqin dhe Dropullin, ruhen të paprekura pavarësisht treguesve. Të njëjtin trajtim marrin territoret që janë tepër larg një qendre tjetër, si Tropoja, Hasi dhe Himara, për të cilat koha e udhëtimit kalon një orë.

Kriteri është i rëndësishëm sepse vendos një kufi të qartë mbi logjikën e ekonomisë së shkallës. Sipas raportit, distanca dhe kohezioni social-kulturor duhet të funksionojnë si kufizime ndaj argumentit financiar: edhe nëse një bashkim do të përmirësonte treguesit ekonomikë, ai nuk propozohet nëse largon shërbimet nga qytetari ose cenon identitetin e komunitetit.

Kjo do të thotë se madhësia apo dobësia fiskale nuk mjaftojnë vetë për të përcaktuar nëse një bashki do të shkrihet. Shembulli i Hasit është domethënës. Në vitin 2025, Hasi siguronte vetëm 1.638 lekë të ardhura të veta për banor, ndër nivelet më të ulëta në vend, ndërsa raporti e rendit së bashku me Këlcyrën, Pustecin dhe Memaliajn ndër bashkitë ku transferta e pakushtëzuar nga qeveria qendrore është rreth 8 deri në 13 herë më e lartë se të ardhurat e veta. Megjithatë, Hasi ruhet si bashki, pasi largësia nga një qendër tjetër konsiderohet pengesë për një konsolidim funksional.

Pusteci është një tjetër rast ku dimensioni social dhe identiteti merr peshë më të madhe. Gjatë procesit të reformës është administruar edhe një kërkesë për ruajtjen e bashkisë dhe mosprekjen e statusit të saj, e lidhur me mbrojtjen e interesave të komunitetit dhe të pakicave kombëtare që jetojnë në territor. Në hartën e propozuar Pusteci mbetet bashki më vete.

Një shembull edhe më i qartë se si funksionon “vetoja” e identitetit është Libohova. Kjo bashki, me vetëm 2.765 banorë, propozohet të bashkohet me Gjirokastrën. Por sipas matricës së distancave, qendra më e afërt me Libohovën është në fakt Dropulli, rreth 21,7 minuta larg, kundrejt rreth 31 minutave nga Gjirokastra.

Megjithatë, relacioni argumenton se bashkimi i Libohovës me Dropullin do të cenonte si karakterin e Dropullit, i krijuar si njësi e pakicës greke, ashtu edhe kohezionin e Libohovës. Për këtë arsye, kriteri social-kulturor prevalon mbi distancën dhe Libohova ankorohet te Gjirokastra.

Në pjesën më të madhe të rasteve të tjera, reforma është përpjekur të ndjekë kufijtë historikë. Në 13 nga 15 bashkitë që humbin statusin, konsolidimi kryhet brenda ish-rrethit të përbashkët. Vetëm Poliçani dhe Libohova trajtohen jashtë këtij modeli, duke u lidhur me qendra që raporti i konsideron të dokumentuara nga graviteti ekonomik dhe tradita.

Kështu, harta e propozuar krijon në praktikë dy filtra: një bashki mund të ketë popullsi të vogël, të ardhura të dobëta ose varësi të madhe nga transfertat dhe përsëri të ruajë statusin, nëse bashkimi do të cenonte një komunitet me veçori identiteti ose do ta largonte ndjeshëm qytetarin nga qendra e shërbimit. Në të kundërt, aty ku raporti nuk identifikon një pengesë të tillë, treguesit ekonomikë, financiarë dhe administrativë marrin peshë më të madhe në vendimin për konsolidim.

Kjo është arsyeja pse projektligji, ndonëse redukton numrin e bashkive nga 61 në 46, deklaron se nuk prek bashkitë me veçori identiteti, minoritare ose largësi të skajshme, të cilat trajtohen si raste të veçanta./ekofin.al