Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, se në 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera sigurie të teknologjisë së lartë, me qëllim për të forcuar sigurinë në shkolla si asnjëherë më parë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama kujtoi tragjedinë e ndodhur në nëntor të 2024, ku në shkollën Fan Noli, u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij 14-vjeçari Martin Cani. Ai theksoi se kamerat e vendosura në shkollë nuk kishin mundur të ndihmonin mjaftueshëm në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Sipas tij, 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, të cilat ndryshe nga të vjetrat ato mund të sinjalizojnë në kohë reale, drejtuesit e shkollave apo Policinë e Shtetit. Gjithashtu Rama theksoi se pajisja e 20 shkollave është vetëm fillimi i projektit, duke paralajmëruar se procesi do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës, mbajti frymën e mbarë Shqipërisë kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar deri në fund dinamikën e asaj ngjarje. Atëherë unë bëra një zotim, ne do të sjellim në Shqipëri nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla. Sot ky zotim ka nisur të bëhet realitet.
Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve shkollave, punonjësve të sigurisë dhe natyrisht të vetë prindërve. Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, por ndryshe nga të vjetrat ato shohin dhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit, duke i ndihmuar ata që të kapin shpejt sinjalin. Të kuptojnë shpejt sinjalin, të kuptojmë shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këtë 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle me teknologjinë me shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka,” u shpreh Rama.







