Transporti publik në Tiranë ka nisur nga sot funksionimin me një numër më të reduktuar mjetesh. Operatorët urbanë kanë nxjerrë në qarkullim rreth 20–30% më pak autobusë, një masë që pritet të ndikojë drejtpërdrejt te koha e pritjes së qytetarëve dhe frekuenca e linjave.
Vendimi hyn në fuqi më 1 shtator dhe, sipas operatorëve, lidhet me vështirësitë e theksuara financiare që po përballen kompanitë e transportit. Për pasagjerët, reduktimi i flotës nënkupton intervale më të gjata mes autobusëve dhe, në disa linja, mundësi për mbingarkesë më të madhe.
Masa ishte paralajmëruar më herët përmes një letre drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve përgjegjëse.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë kërkuar ndërhyrje urgjente, duke argumentuar se mungesa e mbështetjes financiare nuk u lejon operatorëve të vijojnë aktivitetin me kapacitet të plotë.
Sipas tyre, situata është rënduar nga kostot e operimit, ndërsa ndër kërkesat kryesore drejtuar institucioneve janë realizimi i kompensimeve dhe vijimi i mbështetjes për kostot e karburantit.
Operatorët theksojnë se reduktimi i mjeteve nuk është një zgjedhje e dëshiruar prej tyre, por pasojë e drejtpërdrejtë e problematikave financiare. Ata thonë se do të përpiqen të garantojnë vijimin e shërbimit, por paralajmërojnë se operimi me të gjithë flotën nuk është më i përballueshëm në kushtet aktuale.
Tashmë vëmendja është te institucionet, të cilat pritet të vendosin nëse do të ndërhyjnë për të adresuar kërkesat e operatorëve dhe për të shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të shërbimit urban në kryeqytet.







