Ballina Kronika Zbardhen dy raste zjarrvënieje në Fier, arrestohet një 50-vjeçar, procedohet penalisht një...

Zbardhen dy raste zjarrvënieje në Fier, arrestohet një 50-vjeçar, procedohet penalisht një tjetër

72
0

Dy raste zjarrvënieje janë zbardhur në Fier, ndërsa një 50-vjeçar është arrestuar në flagrancë dhe një tjetër shtetas është proceduar penalisht.

Policia ndërhyri pas shfaqjes së disa vatrave të zjarrit në fshatrat Daullas dhe Kreshpan, ku dyshohet se zjarret u shkaktuan nga djegia e shkurreve dhe mbetjeve, duke dalë më pas jashtë kontrollit dhe duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Njoftim i Policise:

Fier/ Zbardhen dy raste zjarrvënieje, arrestohet në flagrancë një shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.

Shërbimet e Policisë të DVP Fier, menjëherë pas shfaqjes së disa vatrave të zjarrit në disa fshatra të rrethit Fier, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke në fshatin Daullas, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë, pranë vatrës së zjarrit, shtetasin A. G., 50 vjeç, i cili kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e shkurreve. Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Gjithashtu, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe kapur pranë një vatre zjarri, në tokën në pronësi të tij, shtetasin Q. Y.

Ky shtetas ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve, por si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa, si dhe është përfshirë nga flakët një sipërfaqe e madhe me bimësi. Për shkak të moshës, shtetasi Q. Y. është proceduar penalisht.

Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.

Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe do të përballen me përgjegjësi ligjore.

Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.