Ballina Bota Dënohet me varje prezantuesja e TV në Egjipt, akuzohet si pjesë e...

Dënohet me varje prezantuesja e TV në Egjipt, akuzohet si pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës

47
0

Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një çështje të trafikut të drogës.

Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, të dënuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e drogës, me qëllim shitjen e tyre. Autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të importuara për prodhimin e tyre. Gjatë hetimeve janë zbuluar gjithashtu armë dhe municione të paligjshme.

Sarah Khalifa, 39 vjeçe, njihej kryesisht për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat ndaj saj. Në të njëjtën çështje, nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona janë shpallur të pafajshëm.

Avokati i Sarah Khalifas ka deklaruar se do të apelojë vendimin për dënimin me vdekje.

Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u konfirmua vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori opinionin fetar të myftiut të madh të Egjiptit, një procedurë e detyrueshme në rastet kur gjykata jep dënim me vdekje.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria paraqiti dëshmi nga 20 persona, si dhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video. Sipas Akhbar al-Youm, gjatë një seance gjyqësore në shtator të vitit të kaluar, kur u pyet për rolin e saj të dyshuar, Khalifa tha se nuk kishte parë kurrë drogë deri në momentin kur u fotografua me të në ambientet e autoritetit kundër narkotikëve.

Sipas një raporti të Amnesty International për vitin 2025, në Egjipt u dhanë 492 dënime me vdekje gjatë atij viti, ndërsa 23 persona u ekzekutuan. Raporti thekson se dënimi me vdekje duhet të kufizohet sipas së drejtës ndërkombëtare vetëm për krimet që përfshijnë vrasje të qëllimshme.