Ballina Ekonomia Emetimet e karbonit, prodhimi i çimentos komplikon realizimin e objektivave për Shqipërinë

Emetimet e karbonit, prodhimi i çimentos komplikon realizimin e objektivave për Shqipërinë

64
0

Prodhimi i çimentos identifikohet si një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë për uljen e emetimeve të karbonit, në një kohë kur, pa masa të reja, emetimet e industrisë në tërësi projektohen të rriten deri në 73% në vitin 2035 krahasuar me 2020. Dokumenti i ri klimatik i qeverisë e veçon çimenton si burimin më të madh dhe më të vështirë për t’u dekarbonizuar brenda sektorit minerar, për shkak të mundësive të kufizuara për elektrifikimin e procesit të prodhimit.

Projeksioni prej 73% i referohet skenarit ku Shqipëria vazhdon vetëm me masat që janë tashmë në fuqi. Në këtë skenar, rritja e aktivitetit ekonomik dhe e kërkesës për energji çon në rritje të ndjeshme të emetimeve industriale. Ndryshe nga sektorë të tjerë, prodhimi i çimentos ka edhe emetime që lidhen drejtpërdrejt me vetë procesin industrial, çka e bën uljen e karbonit më të vështirë.

Edhe emetimet nga proceset industriale dhe përdorimi i produkteve pritet të vazhdojnë rritjen pas vitit 2030. Dokumenti projekton një rritje prej 34% në vitin 2035 krahasuar me 2020, të nxitur kryesisht nga prodhimi i çimentos dhe nga përdorimi i gazeve ftohëse.

Skenari ndryshon nëse zbatohen masat shtesë të parashikuara në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës. Në këtë rast, emetimet e industrisë përsëri projektohen të jenë më të larta se në vitin 2020, por rritja kufizohet në 34% deri në 2035, kundrejt 73% në skenarin pa politika të reja. Diferenca lidhet me elektrifikimin më të madh, zëvendësimin e lëndëve djegëse dhe përmirësimin e eficiencës së energjisë.

Për çimenton, ndryshimi më i madh pritet pas vitit 2035. Skenari i ri supozon përdorimin e teknologjisë së kapjes dhe përdorimit të karbonit (CCU). Nëse kjo teknologji zbatohet, emetimet që lidhen me prodhimin e çimentos, përfshirë ato nga procesi industrial dhe djegia, projektohen të ulen me 80% deri në vitin 2050.

Ky është megjithatë një projeksion i skenarit me masa shtesë dhe jo një reduktim i arritur. Në listën e masave të planifikuara, qeveria ka përfshirë reduktimin e emetimeve nga prodhimi i çimentos, ndërsa për fazën e studimit të fizibilitetit jepet një vlerë prej rreth 0.3 milionë eurosh. Dokumenti nuk jep në këtë zë koston e investimit të plotë që do të nevojitej për instalimin e teknologjisë së kapjes së karbonit.

Kështu, çimentoja mbetet një nga sektorët ku realizimi i objektivit klimatik do të varet jo vetëm nga eficienca e energjisë, por edhe nga futja e teknologjive të reja industriale. Pikërisht për këtë arsye, dokumenti e rendit atë ndër aktivitetet më të vështira për t’u shkëputur nga emetimet e karbonit./ekofin.al