Ballina Aktualitet Smart City/ Kompania që do të instalojë kamerat në Shqipëri, nga agjenci...

Smart City/ Kompania që do të instalojë kamerat në Shqipëri, nga agjenci punësimi në nënkontraktore të projektit 140 mln dollarë

38
0

Një kompani e krijuar fillimisht për ndërmjetësim në punësim dhe formim profesional është shndërruar brenda më pak se dy vitesh në një prej aktorëve të përfshirë në zbatimin e projektit “Smart City” në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompaninë “Specialized Service Provider” sh.p.k., e cila sipas të dhënave të siguruara është përfshirë si nënkontraktore e kompanisë “Presight” për punimet që lidhen me projektin e monitorimit inteligjent të territorit.

Por historia e kësaj kompanie dhe ndryshimet që ajo pësoi përpara përfshirjes në projekt ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si një subjekt me një aktivitet krejt tjetër kaloi brenda një kohe të shkurtër në sektorin e teknologjisë dhe të sistemeve të monitorimit.

Kompania u themelua në Shqipëri në fillim të vitit 2023 me emrin “Fiva Partners”. Në momentin e krijimit, 60 për qind e aksioneve zotëroheshin nga Liridona Lluka, ndërsa Nelson Çela dhe Shkumbin Asllani zotëronin nga 20 për qind secili.

Edhe objekti fillestar i aktivitetit ishte i kufizuar. Fiva Partners ishte krijuar për të operuar si agjenci punësimi dhe për ofrimin e formimit profesional.

Ky profil do të ndryshonte ndjeshëm më vonë. Në nëntor të vitit 2024, aksionet e kompanisë iu shitën “Fiva Partners LLC”, një subjekt i regjistruar në Kosovë. Kompania kosovare zotërohej në pjesë të barabarta nga Liridona Lluka dhe Blerina Pajaziti, me nga 50 për qind të kapitalit.

2222.PNG

Vetëm pak kohë pas ndryshimit të pronësisë, kompania ndryshoi edhe emrin dhe fushën e veprimtarisë.

“Fiva Partners” u bë “Specialized Service Provider”, ndërsa në objektin e aktivitetit u përfshinë import-eksporti i pajisjeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit, montimi dhe mirëmbajtja e tyre, si dhe punimet civile për instalimin dhe shtrirjen e rrjeteve IT, sistemeve të kamerave dhe monitorimit.

111.PNG

Pra, nga një kompani e krijuar për punësim dhe formim profesional, subjekti kaloi në një profil të orientuar drejtpërdrejt drejt teknologjisë, kamerave dhe sistemeve të monitorimit. Koha kur ndodhi ky transformim merr rëndësi për shkak të zhvillimeve që pasuan.

Në prill të vitit 2024, qeveria shqiptare kishte firmosur me kompaninë “Presight” marrëveshjen për zhvillimin e projektit “Smart City”. Projekti parashikon përdorimin e kamerave, Inteligjencës Artificiale dhe teknologjive të tjera për monitorimin e territorit, sigurinë publike dhe menaxhimin urban. Vetëm disa muaj pas ndryshimeve në pronësi, emër dhe objekt aktiviteti të Specialized Service Provider, marrëveshja me Presight iu dërgua Kuvendit për miratim.

Vlera e projektit arrin në rreth 140 milionë dollarë. Në këtë projekt, Specialized Service Provider rezulton e përfshirë si nënkontraktore e Presight për punimet në terren. Sipas informacionit të siguruar, kompania do të përfshihet gjithashtu në procesin e importimit të kamerave që do të përdoren për sistemin.

Ky rol e vendos kompaninë në një pozicion të rëndësishëm në zinxhirin e realizimit të një prej projekteve më të mëdha teknologjike të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

 

Pesha e kësaj pjese të projektit bëhet më e qartë nga shifrat e vetë marrëveshjes. Nga rreth 140 milionë dollarë që është vlera totale e “Smart City”, 62.4 milionë dollarë parashikohen për kamerat dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e sistemit. Pikërisht në këtë segment hyn edhe aktiviteti i Specialized Service Provider.

Fakti që pajisjet e projektit nuk do të kalojnë vetëm në marrëdhënien mes kompanisë që ka kontratën dhe shtetit shqiptar, por në proces përfshihet edhe një subjekt nënkontraktor, e bën të rëndësishme transparencën mbi rolin financiar dhe operacional të tij.

Nëse Specialized Service Provider shërben edhe si ndërmjetëse për importimin e kamerave, një nga çështjet që kërkon sqarim është se çfarë vlere financiare i është nënkontraktuar kompanisë dhe nëse ndërmjetësimi sjell kosto shtesë mbi pajisjet.

Vetë ekzistenca e një nënkontraktori nuk provon se kostoja e projektit është rritur. Për të arritur në një përfundim të tillë nevojiten çmimet e blerjes, faturat e importit, marzhi i ndërmjetësimit dhe kontrata mes Presight dhe Specialized Service Provider.

Por përfshirja e një hallke të tillë e bën të rëndësishme publikimin e këtyre të dhënave, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhjetëra milionë dollarë që financohen nga buxheti publik.

Kjo kronologji e përshpejtuar nuk konsiderohet automatikisht shkelje ligjore, por ajo pikturon një skenë që kërkon llogaridhënie të menjëhershme. Transparenca publike mbetet plotësisht e errësuar përballë pyetjeve thelbësore, me çfarë kriteresh teknike u përzgjodh nga kompania mëmë një subjekt pa asnjë histori në fushën e monitorimit inteligjent?

Po aq e rëndësishme është të bëhet e ditur se sa nga 62.4 milionë dollarët e parashikuara për kamerat dhe infrastrukturën do të kalojnë përmes kompanisë dhe cili është mekanizmi i importimit të pajisjeve.

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të tregonin jo vetëm rolin real të Specialized Service Provider në “Smart City”, por edhe se çfarë kostoje ka përfshirja e saj në zinxhirin e një projekti që në fund do të paguhet me para publike./vna