Ballina Politika Diplomacia e sinjaleve: Pse i dërguari i Trump shmangu Lamallarin dhe Hitën,...

Diplomacia e sinjaleve: Pse i dërguari i Trump shmangu Lamallarin dhe Hitën, dhe takoi vetëm kontrollorin e policisë, Qosen e AMP?

229
0

Vizita e të Dërguarit Special të Presidentit të SHBA për Partneritetet Globale, Ambasadorit Paolo Zampolli, ka lënë pas më shumë pikëpyetje se sa deklarata zyrtare.

Ndonëse axhenda e zyrtarit amerikan në Tiranë ishte e ngjeshur, binte në sy një shmangie e papritur: asnjë takim me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe as me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Në vend të kësaj, Zampolli zgjodhi të ndalonte në zyrat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke u takuar me drejtuesin e saj, Klevis Qose — njeriu që ka për detyrë të hetojë e të presë fijet e krimit dhe korrupsionit brenda vetë radhëve të uniformave blu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, vetë Qose e bëri me dije takimin, duke zbuluar edhe një nga porositë kryesore të SHBA-së:

“Presidenti Trump nënshkroi më 15 dhjetor 2025 Urdhrin Ekzekutiv 14367, i cili përcakton fentanilin e paligjshëm dhe kimikatet kryesore pararendëse të tij si armë të shkatërrimit në masë… Ai bëri thirrje për një koordinim më të ngushtë në luftën kundër rrjeteve që e prodhojnë dhe e trafikojnë atë.”

Seanca e takimit dhe citimi i prioriteteve të Uashingtonit ngrenë hije të forta dyshimi mbi atë se çfarë mesazhi po përcjell SHBA-ja.

Pse i dërguari amerikan zgjodhi të flasë për luftën ndaj rrjeteve kriminale dhe  me strukturën e kontrollit të brendshëm, duke kapërcyer kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit dhe dikasterin e Brendshëm?

A është ky një sinjal i drejtpërdrejtë mosbesimi ndaj influencave politike që mundësuan ngritjen në detyrë të Lamallarit e Hitës?

Përgjigjet ndoshta nuk do të jenë kurrë të plota, por fakt ngelet se takimi me Qosen nuk justifikohet dot me hierarki institucionale. Të tjera motive lanë jashtë shefin e tij./VNA