Prej 41 ditësh, banorët e Divjakës vijojnë protestën kundër ndryshimeve të propozuara për statusin e bashkisë. Edhe mbrëmjen e së mërkurës, një grup i vogël qëndrestarësh u mblodhën në sheshin para bashkisë, duke përsëritur thirrjen: “Divjaka bashki!”
Pavarësisht se numri i protestuesve është reduktuar ndjeshëm, banorët që vijojnë të qëndrojnë në shesh shprehen të vendosur të mos heqin dorë nga kërkesa e tyre. Ata pretendojnë se gjatë këtyre ditëve janë përballur me presione dhe përpjekje për të shuar protestën.
Sipas protestuesve, presionet kanë ardhur si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga ai qendror, ndërsa ata e konsiderojnë situatën si një përpjekje për t’i heshtur.
Në protestën e mbrëmjes nuk pati fjalime. Pas qëndrimit në shesh, banorët vijuan me një marshim në rrugët e qytetit, duke kërkuar që Divjaka të vijojë të jetë bashki.







