Ballina Bota Trump u dha nga 45 mijë dollarë tri bashkëpunëtoreve të Shtëpisë së...

Trump u dha nga 45 mijë dollarë tri bashkëpunëtoreve të Shtëpisë së Bardhë

42
0

Pagesat e konsiderueshme, të deklaruara si “dhurata në para për festa”, kanë nxitur pikëpyetje për respektimin e rregullave etike. Shtëpia e Bardhë këmbëngul se ato janë plotësisht të ligjshme.

Presidenti amerikan Donald Trump u ka dhënë nga 45 mijë dollarë tri bashkëpunëtoreve të tij të afërta në Shtëpinë e Bardhë, tregojnë formularët e rinj të deklarimit financiar të publikuar nga administrata amerikane.

Siç raporton CNN, dhuratat i kanë marrë asistentja ekzekutive Natalie Harp, këshilltarja për komunikim Margo Martin dhe zëvendësdrejtoresha e operacioneve të Zyrës Ovale, Chamberlain Harris.

Në dokumente, pagesat janë përshkruar si “dhurata në para për festa”.

Secila prej tri zyrtareve merr një pagë vjetore prej 150 mijë dollarësh, çka do të thotë se dhurata prej 45 mijë dollarësh përbën gati një të tretën e pagës së tyre vjetore.

Një tjetër bashkëpunëtor i afërt i Trumpit, drejtori i operacioneve të Zyrës Ovale, Walt Nauta, ka deklaruar se ka marrë një dhuratë prej 20 mijë dollarësh. Paga e tij vjetore është 175 mijë dollarë.

Shtëpia e Bardhë i ka mbrojtur këto pagesa, duke thënë se Trumpi ka një traditë të kahershme të dhënies së dhuratave për Krishtlindje njerëzve të rrethit të tij, përfshirë punonjës dhe bashkëpunëtorë si në administratë, ashtu edhe gjatë veprimtarisë së tij private.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, dhuratat nuk kanë pasur lidhje me detyrat zyrtare të përfituesve dhe, për këtë arsye, konsiderohen të lejueshme sipas standardeve përkatëse ligjore dhe etike.

Megjithatë, përmasat e pagesave kanë ngritur pikëpyetje nëse një president mund t’u japë shuma kaq të mëdha vartësve të tij në administratën federale. Ekspertë të etikës kanë paralajmëruar se dhuratat financiare nga një epror për vartësit mund të krijojnë varësi dhe konflikt të mundshëm interesi.

Natalie Harp konsiderohet një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Trumpit. Ajo shihet pothuajse vazhdimisht pranë presidentit dhe njihet për mbajtjen e një printeri portativ, përmes të cilit i siguron Trumpit artikuj, postime në rrjetet sociale dhe materiale të tjera që ai preferon t’i lexojë në letër.

Për këtë rol, ajo është quajtur në mediat amerikane edhe “printeri njerëzor” i presidentit.

Margo Martin ka punuar për Trumpin që nga mandati i tij i parë presidencial, ndërsa Chamberlain Harris është emëruar gjatë këtij viti edhe anëtare e Komisionit Amerikan të Arteve të Bukura.

Ndërkaq, Walt Nauta, ish-shërbyes personal i Trumpit, ishte akuzuar më 2023 në lidhje me hetimin për dokumentet e klasifikuara të marra nga Trumpi pas largimit të tij të parë nga Shtëpia e Bardhë. Akuzat ndaj tij u hodhën poshtë në vitin 2024.