Ballina Europë “Arabët dje ishin mbi deve, sot mbi makinë…” – Skandal në Francë,...

“Arabët dje ishin mbi deve, sot mbi makinë…” – Skandal në Francë, 4 policë kapen ‘mat’ duke bërë komente të papërshtatshme

40
0

Katër oficerë të policisë bashkiake në Carcassonne, Francë, janë pezulluar pasi u kapën duke bërë komente raciste në një video të regjistruar gjatë një patrullimi në nëntor 2025.

Videoja, e regjistruar aksidentalisht nga një kamerë trupi, u publikua pjesërisht nga gazeta Midi Libre. Një prej oficerëve dëgjohet duke bërë komente fyese ndaj personave me origjinë arabe, ndërsa në regjistrim përdoren edhe shprehje raciste, seksiste dhe denigruese.

“Ata ngasin shpejt këta arabë, apo jo? Dje ishin mbi një deve, sot mbi një makinë…” deklaron njëri nga oficerët.

“Nuk mund ta duroj më, në qendër të qytetit, arabë, të zinj, arabë, afganë…” vazhdon oficeri në video, përpara se të shtojë: “Ne u bëmë të krishterë nën Clovis, do të bëhemi myslimanë nën Macronin”. Një nga policët e tjerë në makinë thotë gjithashtu, teksa kalon pranë një kalimtar: “Ai është një arab që mban erë qebapi”.

Pas një telefonate nga një banore, e cila tha se kishte goditur një kafshë me makinën e saj, një nga oficerët e policisë shprehu shqetësim: “Shpresoj të mos ketë qenë ndonjë fëmijë, apo dikush, ai që ajo goditi.”

“Jo, ndoshta është një emigrant, pak Kirikou,” ia ktheu një oficer tjetër, duke bërë një theks ndryshe. “Kirikou në savanë, ai goditet, ai erdhi në Francë, ai goditet nga një automjet.”

Po ashtu përmendin edhe teorinë e konspiracionit se Brigitte Macron është transgjinore. “Ata po përpiqen ta fshehin këtë nga e gjithë bota “, tha oficeri.

Prokuroria e Carcassonne-s ka nisur një hetim penal, ndërsa ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ka urdhëruar një audit të policisë bashkiake nga Inspektorati i Përgjithshëm i Administratës. Prokurorja Géraldine Labialle tha se hetimi po vijon dhe se po shqyrtohen edhe fakte të reja që mund të përbëjnë shpifje ose vepra penale të lidhura me origjinën, etninë, seksin apo orientimin seksual. Paralelisht, bashkia e Carcassonne-s ka nisur një hetim administrativ.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta politike. Ministrja Delegate për Barazinë midis Grave dhe Burrave dhe Luftën kundër Diskriminimit, Aurore Bergé i cilësoi komentet “absolutisht të papranueshme”, ndërsa drejtuesit e Tubimit Kombëtar dënuan deklaratat dhe njoftuan përjashtimin e menjëhershëm të njërit prej oficerëve nga shërbimi i sigurisë së partisë.

Oficeri që dëgjohet më shumë në video kishte marrë pjesë në sigurimin e një vizite të Jordan Bardella-s në Carcassonne. Rasti ka nxitur gjithashtu kritika nga figura të së majtës dhe nga presidentja socialiste e rajonit të Oksitanisë, Carole Delga, e cila kërkoi sanksione ndaj përgjegjësve.