Ballina Kosovë Inflacioni në Kosovë arrin 7.3% në muajin gusht/ Transporti dhe strehimi shënojnë...

Inflacioni në Kosovë arrin 7.3% në muajin gusht/ Transporti dhe strehimi shënojnë rritjen më të madhe të çmimeve

39
0

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin gusht 2026, sipas të cilave çmimet e konsumit janë rritur me 7.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor në gusht ishte 1.3 për qind, krahasuar me muajin korrik 2026.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, ku çmimet janë rritur për 21.1 për qind. Pas tij vjen grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me rritje prej 11.8 për qind.

Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 5.4 për qind, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5.1 për qind, shëndetësia me 4.2 për qind, si dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 3.8 për qind.

Çmimet e mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes rutinore të shtëpisë janë rritur me 3.4 për qind, po aq sa edhe çmimet në grupin e rekreacionit, sportit dhe kulturës.

Ndërkohë, veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar për 3 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike për 2.6 për qind, ndërsa informacioni dhe komunikimi për 0.6 për qind.

E vetmja kategori ku ASK ka regjistruar rënie vjetore të çmimeve janë shërbimet arsimore, me -0.5 për qind.

Në raport me korrikun 2026, çmimet e konsumit në gusht janë rritur me 1.3 për qind.

Rritjen më të madhe mujore e ka shënuar transporti, me 4.6 për qind. Pas tij renditet grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 0.8 për qind.

Rritje prej 0.5 për qind janë regjistruar te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 0.4 për qind.

Po me 0.4 për qind janë rritur edhe çmimet në shëndetësi, informacion dhe komunikim, si dhe në rekreacion, sport dhe kulturë.

Sipas ASK-së, rritje më të vogla mujore janë regjistruar në restorante dhe shërbime akomodimi (0.3 për qind), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0.1 për qind), veshje dhe këpucë (0.1 për qind), si dhe kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0.1 për qind).