Ballina Aktualitet Universiteti i Gjirokastrës shënon rritje të regjistrimeve/ Rreth 300 studentë në fazën...

Universiteti i Gjirokastrës shënon rritje të regjistrimeve/ Rreth 300 studentë në fazën e parë, interes i lartë për infermierinë dhe ekonomikun

30
0

Gati 50 studentë më shumë se një vit më parë kanë zgjedhur këtë vit Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Faza e parë e regjistrimeve universitare ka përfunduar me rreth 300 studentë të regjistruar, ndërsa në të njëjtën fazë të një viti më parë numëroheshin rreth 250 regjistrime.

Rritja e interesit është vënë re në disa prej degëve të ofruara nga universiteti, ndërsa sipas rektorit të Universitetit “Eqrem Çabej”, Jaho Canaj, më të kërkuarat janë programet e ciklit dyvjeçar, Infermieria dhe Ekonomiku.

Ndryshe paraqitet situata për degët që lidhen me mësuesinë, ku interesi vijon të jetë më i ulët. Sipas rektorit, një prej faktorëve që ndikon në këtë tendencë është edhe kriteri i mesatares, që kufizon numrin e maturantëve që mund të aplikojnë në këto programe.

Por universiteti pritet të zgjerojë ofertën akademike në vitin e ardhshëm. Një prej programeve që parashikohet të hapet është dega e Anglishtes, pas kërkesave të shumta të ardhura për këtë profil.

Interesi për këtë degë, sipas drejtuesve të universitetit, vjen kryesisht edhe nga shtetas të vendeve të treta, duke e parë Universitetin “Eqrem Çabej” jo vetëm si një institucion për studentët vendas, por edhe si një mundësi për tërheqjen e studentëve të huaj. Pas përfundimit të fazës së parë, universiteti vijon procesin e regjistrimeve, ndërsa pritshmëritë janë që numri i studentëve të rritet edhe më tej me përfundimin e fazave të tjera të aplikimit.