Këto janë sisteme të veçanta të shpikura për të mbajtur jashtë kontrollit të gjithë financimet publike, që askush të mos ketë asnjë të dhënë se çfarë bëhet.
’ Kështu e ka cilësuar deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, modelin e kompanive publike dhe marrëdhënieve të tyre me privatët, duke denoncuar një skemë që, sipas tij, po i dorëzon privatit të drejtat monopolistike të shtetit dhe po mbyll çdo derë të transparencës.
Bozdo ka kërkuar publikisht moratorium për kompanitë publike dhe garë ndërkombëtare për çdo ortak privat, duke argumentuar se nuk mund të ketë kontroll real mbi fondet publike kur kompanitë krijohen me kapital shtetëror, marrin ekskluzivitete dhe më pas kalojnë nën kontroll privat pa garë dhe pa transparencë.
Sipas deputetit demokrat, modeli i KAYO-s është shembulli më flagrant i kësaj skeme. Ai e ka përshkruar KAYO-n si një ‘guaskë ligjore’, e cila është përcaktuar si furnizuese e vetme dhe është përjashtuar nga prokurimi konkurrues, ndërsa më pas ka krijuar kompani me ortakë privatë.
Pikërisht në këtë klimë, ku opozita akuzon qeverinë për përdorim të institucioneve dhe mekanizmave shtetërorë për të favorizuar interesa të caktuara private dhe politike, Partia Demokratike ngre shqetësimin edhe për një tjetër front: goditjen e kundërshtarëve politikë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
Deklarata e plotë e deputetit të PD, Eno Bozdo:
Në 6 vitet e fundit, kemi një rritje shumë të madhe, të paprecedentë të numrit të shoqërive publike në Shqipëri me pronësi vendore ose qendrore, një pritje kjo e nxitur qëllimisht nga qeveria shqiptare, e cila duke themeluar këto shoqëri në sektorë të ndryshëm të jetës ekonomike të vendit, po rrit gjithmonë e më shumë praninë e sektorit publik në ekonomi.
Për më tepër shumë nga këto kompani kanë marrë të drejta ekskluzive monopolistike, duke dëmtuar tregun, transparencën dhe konkurrencën në treg.
Më tej sipas një skenari të mirëmenduar, pa zhurmë, këto kompani monopolistike, u jepen nën kontroll privatëve, miq të partisë dhe kryeministrit të cilët operojnë në guaskën e kompanisë publike, por nga ana tjetër duke ju shmangur ligjeve të prokurimit, të transparencës, të drejtës për të kërkuar informacion dhe marrë informacion nga publiku dhe palët e interesuara, por dhe atyre të auditimit publik nga institucionet përgjegjëse.
Praktikisht ajo që ne dëshmojmë çdo ditë është një skemë e mirëpërgatitur, e cila ka pasur gjithmonë qëllim që të krijojë të drejta tregtare monopolistike, e cila më pas të cedojë, t’i kalojë, transferojë ato të privati.
Rasti KAYO dhe skenari i shëndetësisë janë provat e pamohueshme të këtij fenomeni.
Siç e shikoni, këtu kemi paraqitur një listë të të gjitha kompanive publike të krijuara në Shqipëri nga pushteti qendror, duke filluar nga viti 2019 më të famshmen, Korporata e Investimeve Shqiptare që menaxhon çdo pronë publike, deri në vitin 2026.
Kjo është lista e plotë dhe po të shikoni janë më shumë se 20 kompani të krijuara me kapital publik. Në total janë 76 edhe me ato të krijuara më parë, dhe kemi edhe 3 kompani të tjera që janë në proces krijimi.
Është shoqëria shtetërore e pyjeve, shoqëria e barnave dhe pajisjeve mjekësore. Praktikisht një KAYO bis që do të operojë me të gjitha fondet publike të shëndetësisë dhe operatori i shoqërive shtetërore.
Po të shikoni këto kompani kanë kapur të gjitha sektorët ekonomikë të vendit.
Armatimi, tarifimi rrugor, zhvillimi, pulla fiskale, sterilizimi spitalor, teknologji dixhitale, transporti publik-privat, mbetje dhe pyje.
Faktet na tregojnë se shteti krijon shoqëri të reja publike ku më parë nuk operonte, në sektorët e armatimit, zhvillimi, shëndetësi, pyje, transport.
Shtetit më pas u jep monopol furnizuesit të vetëm, pastaj e përjashton nga prokurimi konkurrues me vendim të Këshillit të Ministrave, kompani të cilat pastaj fillojnë dhe kontrollohen nga privati. Dhe më pas, siç thashë, vjen çasti i kontrollit nga privati me kontratë të negociuar pa garë, pa çmim të përcaktuar e të tjerë e të tjerë.
Rezultati i kësaj strategjie është shumë i qartë: nuk është fuqizimi i shtetit në ekonomi, përkundrazi, është dorëzimi te privati i të drejtave monopolistike të vetë shtetit. Kjo ndodh tani.
Përpara se të hyjmë në thellësi, një referencë ndaj atyre që qeveria i pëlqen shpesh t’i citojë: çfarë kërkon Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar? Bashkimi Evropian kërkon mbikëqyrje dhe qeverisje të forcuar të ndërmarrjeve shtetërore, prokurim konkurrues, kontrollin e ndihmës shtetërore.
Çfarë ndodh në të vërtetë në Shqipëri? Krijohen shoqëri të reja pa politikë pronësie, monopolizohet furnizimi me vendime të Këshillit të Ministrave, asnjë njoftim për ndihmën shtetërore dhe për klasterin e ndërmarrjeve të reja.
Çfarë kërkon FMN? FMN kërkon menaxhim të rrezikut fiskal nga ndërmarrjet shtetërore dhe koncesionet, pastrim të detyrimeve të prapambetura, transparencë fiskale.
Në anën tjetër, këtu krijohet Banka e Zhvillimit me 10 miliardë lekë nga Ministria e Financave, e cila është në të njëjtën kohë edhe pronare, edhe rregullatore, edhe mbikëqyrëse.
E çfarë thotë e famshmja marrëveshje e Stabilizim-Asociimit në nenin 40-71? Ndërmarrjet publike dhe ato me të drejta ekskluzive të mos dëmtojnë konkurrencën, monopolet tregtare të mos jenë pa diskriminim.
Furnizuesi i vetëm i caktuar me vendim, siguri fizike falas nga Forcat e Armatosura për shoqëri me shumicë private. Kjo ndodh te shoqëritë me shumicë private.
Ja dhe çfarë do të thonë standardet e OECD-së. Sa për sqarim, Bashkimi Evropian nuk ka direktivë të përcaktuar të dedikuar për qeverisjen e korporatave publike, por i referohet gjithmonë udhëzuesit për qeverisjen e mirë të korporatave publike të OECD-së.
Nuk jam duke i lexuar të gjitha, por dy pikat e fundit shikoni: ndarja e pronësisë si pronësi dhe rregullimi. Është një ndër kushtet thelbësore. Shteti është njëkohësisht rregullator dhe operator.
Rasti i fundit është shoqëria e re e cila u krijua së fundmi. Neutraliteti konkurrues, kjo është bibla e qeverisjes, konsiderohet bibla e qeverisjes në korporatat publike, te pronësitë shtetërore publike pra.
Neutraliteti konkurrues: siguri fizike falas nga Forcat e Armatosura, akses pa garë në pasuritë publike. Ky është rasti tipik i KAYO-s. Kemi pak te KAYO.
Siç thashë në thelb, siç bëhet e qartë edhe nga audiopërgjimet, siç bëhet e qartë edhe nga investiguesit, KAYO në fakt nuk është një ndërmarrje, nuk është prodhues, në fakt është vetëm një guaskë ligjore. Është themeluar në vitin 2024.
Me VKM në vitin 2025 përcaktohet si furnizues i vetëm dhe përjashtohet pastaj nga prokurimi konkurrues. Realiteti është që KAYO nuk prodhon asgjë. Zero veprimtari në bilancet e viteve 2024-2025. E vetmja veprimtari e saj që nga regjistrimi është krijimi i katër shoqërive me privat. Në periudhën gusht-nëntor 2025.
Dhe këtu dua të citoj pastaj një direktivë shumë të rëndësishme të Bashkimit Evropian… përjashtimi nga prokurimi nuk vlen kur shoqëria kontrollohet nga privati. Por kjo është skemë që i ofron privatit guaskën mbrojtëse të pronësisë publike të KAYO-s, e cila është boshe vetë.
Katër kompanitë, siç do ta shohim dhe më poshtë, në thelb janë private. Dhe nuk janë katër, por siç e shikoni, TIMAK Defense, Advanced Armed Tech, MKD-ja dhe Guna Tactical, janë katër shoqëri, por janë me dy grupime pronarësh. TIMAK dhe Unot 18 kanë të njëjtin ortak.
Kapital thelbësor rreth 35 mijë euro për këtë shoqëri, asnjë ortak nuk ka kapacitete prodhuese apo kapital të rëndësishëm, thelbësor. Asnjë procedurë konkurruese e dokumentuar për përzgjedhjen e ortakëve privatë.
Sepse praktikisht ligji i sektorit shqiptar gjithashtu do të kërkonte që në qoftë se do të ndërtoheshin nënkompani, bija të veçanta, atëherë duhet të kishin një proces konkurrimi.
Pse asnjë institucion nuk i kontrollon dot? Sepse të tre ligjet që janë thelbësore për kontrollin e fondeve publike (ligji për prokurimin publik, ligji për veprimtarinë e KLSH-së, auditi i brendshëm) nuk arrijnë dot të operojnë kur shumicën e bordit dhe pronësinë reale e ka privati.
E thënë thjesht, këto shoqëri blejnë ku të duan, me çmimin që vendosin ato vetë dhe ia shesin shtetit pa tender, pa auditim dhe pa llogaridhënie. E askush nuk kupton dot asgjë ku përfundojnë paratë.
Sa para kalojnë nëpërmjet kësaj skeme? Buxheti për mbrojtjen i vitit 2026, me ndryshimet e fundit, është diçka më shumë se 70 milionë euro. 80% e fitimeve shkon në duart e privatit. Këto blerje kalojnë përmes katër shoqërive të cilat përcaktojnë vetë çmimin e blerjes dhe atë të shitjes ndaj shtetit.
Fitimi ndahet sipas pronësisë, 80% te privati në tre shoqëri dhe vetëm në një shoqëri është 50% te privati. Po kush është triku tjetër që ka përdorur qeveria për t’i nxjerrë këto kompani jashtë interesit publik? Kjo ka ardhur me 10 prill të vitit 2026 kur me VKM janë rritur pragjet e klasifikimit si shoqëri me rëndësi për interesin publik.
Ligji detyron shoqëritë me rëndësi për interesin publik t’i nënshtrohen auditimit ligjor. Pragu i qarkullimit është rritur nga 2.5 miliardë lekë në 4 miliardë lekë (rreth 40 milionë euro) dhe aktivet i ka rritur nga 1.25 miliardë në 2 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro).
Pragjet janë rritur, shoqëritë që bien nën këtë prag nuk auditohen më nga asnjë ligjor. Mbyllet çdo derë për të bërë transparencë ndaj këtyre kompanive.
Tani kemi një rast dhe më interesant, marrëveshja e 12 majit të këtij viti të shitjes së aksioneve midis KAYO dhe shoqërisë Guna Tactical. Janë shitur 2% të aksioneve me këtë marrëveshje.
Dhe shteti kalon nga kontrolli i tij prej 51% në 49%, pa zhurmë, pa u ndjerë. Kjo kontratë ka plot të meta që nuk janë të meta rastësore, janë për me qëllim, për të favorizuar pozicionin e privatit.
Pronësia kalon përpara se të dihet çmimi, nuk ka çmim të përcaktuar. Vlerësimi jep shifra të papërfillshme, është 2% që kalon kontrollin e gjithë transaksioneve!
Kontrata kundërshton veten, sepse pretendon që nuk cenohet kontrolli i shoqërisë në një kohë që i ka dhënë 51% privatit. Çdo palë zotohet të mos zbulojë përmbajtjen e marrëveshjes. Asnjë autorizim nga guaska që qeveria ofron!







