Ballina Kosovë Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Kurti: Padrejtësi e papranueshme! Aktgjykimi u shpall...

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Kurti: Padrejtësi e papranueshme! Aktgjykimi u shpall në emër të popullit të Kosovës, por nuk përfaqëson vullnetin e tij

44
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar aktgjykimin një padrejtësi të papranueshme. Sipas tij, fakti që vendimi është shqiptuar në emër të popullit të Kosovës nuk do të thotë se ai përfaqëson vullnetin e tij. Kurti kërkon që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e Apelit dhe shpreh mbështetjen për familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.

Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e Apelit, dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë.

Me akuzat në KiE nga deputeti rus dhe serb, nisi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot. Asgjë prej pretendimeve dhe akuzave të ekzagjeruara dhe absurde, duke nisur prej Shtëpisë së Verdhë. Aktgjykimi i sotëm rrëzoi pretendimin më të rëndë, se UÇK-ja kishte kryer sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile”, shprehet Kurti.