Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ndodhet në qendër të dyshimeve për manipulim të garave publike, pasi Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka goditur vlerësimin e bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) për tenderin me objekt “Mirëmbajtja e moduleve ekzistuese të KQZ-së”.
Përmes shkresës zyrtare të Drejtorisë Juridike të APP-së siguruar nga VNA, kërkohet llogari sepse pretendimet e KQZ-së se operatori ekonomik “Instant.Al” Shpk ka dorëzuar “të dhëna të rreme” nuk përputhen me verifikimet reale faktike.
Sipas shkresës, KQZ e pati skualifikuar kompaninë “Instant.Al” Shpk duke pretenduar se dokumentacioni (diplomat dhe certifikatat) e dorëzuara në emër të ekspertit Z. Granit Gjana mbanin të dhëna të rreme. Mbi këtë bazë, KQZ i ishte drejtuar APP-së për nisjen e procedimit administrativ për përjashtimin e kësaj shoqërie nga e drejta për të fituar kontrata publike.
Megjithatë, APP i ka demaskuar këto pretendime pas verifikimit të drejtpërdrejtë:
“Nga verifikimet e kryera nga APP, sa i takon çertifikatave dhe Diplomës së paraqitur nga operatori ekonomik ‘Instant.Al’ Shpk… si dhe skanimit të kodit QR që përmbanin këto dokumenta, rezultonin në emër të Z. Granit Gjana”.
Pasi KQZ pretendoi se vlerësimi i saj mbështetej në gjendjen faktike të verifikuar gjatë shqyrtimit, APP i ka kujtuar normat ligjore dhe i ka vendosur kushte të rrepta:
“Çdo kërkesë e paraqitur në APP nga të tretët duhet të shoqërohet me dokumentacionin provues. Kur dokumentacioni i paraqitur sipas kësaj pike nuk është i plotë, APP e kthen për plotësim…”.
Procedura ngel e hapur dhe vendimi për përjashtimin e kompanisë nuk është miratuar nga APP.
APP e ka refuzuar kërkesën aktuale të KQZ-së për penalizimin e operatorit dhe i ka lënë detyrë institucionit kontraktor që:
Të kryejë verifikime të mirëfillta zyrtare e të provueshme pranë vetë kompanisë lëshuese “Alison” për të vërtetuar nëse certifikatat e diplomave janë lëshuar apo jo prej saj.
Vetëm nëse nga ky verifikim zyrtar rezulton mashtrim, KQZ duhet t’i përcjellë provat brenda 3 ditëve pranë APP-së, të förkthyera, të notarizuara dhe të njehsuara me vulë të njomë.
Nëse KQZ nuk i sjell këto prova zyrtare, kërkesa e saj për penalizimin e kompanisë do të konsiderohet përfundimisht e paparaqitur.
Vlera e tenderit: Fondi limit i kësaj procedure është 42,972,173 lekë pa TVSH (rreth 466,000 euro).
Pjesëmarrësit në garë: Në këtë tender kanë aplikuar 4 operatorë ekonomikë:
“Instant.Al” Shpk (I skualifikuar nga KQZ).
“FIRST” Shpk
Kompani të tjera bashkëpunuese në fushën e teknologjisë (si “Intelisoft” etj.)
*Kush është “Instant.Al” Shpk?*
Sipas regjistrit tregtar (QKB), shoqëria “Instant.Al” Shpk ka si pronare dhe administratore Emerlinda Gjana. Personi për të cilin u ngritën pretendimet për certifikatat, Z. Granit Gjana, figuron si ekspert / Zyrtar i Mbrojtjes së Të Dhënave pranë kësaj shoqërie.
Pas skualifikimit të ofertës më të ulët nga “Instant.Al” Shpk, kualifikimi dhe shpallja e fituesit anoi drejt shoqërisë “FIRST” Shpk.Pronari përfundimtar / Kontrolluesi i “FIRST” Shpk: Shoqëria zotërohet nga biznesmeni Gëzim Hoxha (i cili rezulton të jetë edhe vëllai i ish-diplomatit / zyrtarit të lartë Ferit Hoxha). Emri i tij dhe kompanitë e ndërlidhura me të kanë qenë në fokusin e mediave investigative dhe të verifikimeve mbi kontrata publike në fushën e IT-së, sidomos për tenderat e AKSHI-t dhe rolin e Gys Agasit./VNA







