Deputeti i Partisë Socialiste për Durrësin, shkrimtari dhe eseisti Loer Kume, ka njoftuar me dhimbje ndarjen nga jeta të bashkëshortes së tij, Lorinës.
Përmes një mesazhi prekës, Kume ka ndarë lajmin me të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur familjen e tij, duke e përshkruar Lorinën si bashkëudhëtaren e tij të jetës dhe nënën e dy fëmijëve të tyre.
Kume tregon se ai dhe Lorina ishin njohur që në moshën 18-vjeçare dhe kishin ndarë së bashku më shumë se dy dekada jetë. Çifti kishte dy fëmijë.
Deputeti tregon se bashkëshortja e tij kishte kohë që përballej me një sëmundje dhe, pavarësisht forcës së treguar gjatë betejës me të, ndërroi jetë këtë të premte.
MESAZHI
Lorina, Lori, Lorushi, dashuria ime që 18 vjeç, më shumë se gjysma ime, shpirti im binjak, shtëpia ime, gruaja, e dashura, shoqja, mësuesja ime, nxënësja ime, busulla ime, mishi im, zëri e fjala e syri im, gjithçkaja e madhe, nëna e fëmijëve tanë, dy mrekullive, sot na la vetëm.
Ne të tre, familja, njerëzit që e njohën, e prekën, e dëgjuan, u mbështollën nga energjia dhe aura e Lorit, Lorushit, e donim këtu të na donte pa limite e të na ndriçonte siç e ka bërë gjithë jetën e saj.
Dhe në luftë e tregoi veten njeriun më të fortë që kemi njohur e dëgjuar. Sot kemi trashëgiminë e Lorit pas.
Varrimi bëhet ditën e shtunë, 19/09/2026. Pritjet bëhen ditën e diel, të martë dhe të mërkurë, ora 09:00–13:00, 16:00–21:00. Agjencia Leba. Lagjja nr. 6, Rruga Andon Naçi – Durrës.







