Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor apo Poshtërues (CPT) i Këshillit të Europës publikoi sot raportin mbi vizitën ad hoc të zhvilluar në Shqipëri nga 26 janari deri më 2 shkurt 2026.
Objektivi kryesor i kësaj vizite ishte vlerësimi i trajtimit dhe kushteve të qëndrimit të pacientëve psikiatrikë forensikë, burra dhe gra, të akomoduar përkatësisht në “strukturën e përkohshme” në ambientet e Burgut të Shënkollit në Lezhë dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë.
Vizita shërbeu gjithashtu për të shqyrtuar masat e marra nga autoritetet shqiptare për zbatimin e rekomandimeve të raportit të CPT-së pas vizitës periodike të vitit 2023, si dhe ecurinë e angazhimeve të marra gjatë takimeve të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe CPT-së në shkurt 2024.
CPT konstaton se kushtet e jetesës për pacientet forensike në Spitalin e Burgut në Tiranë mbeten të papërshtatshme, ndërsa situata për pacientët meshkuj në strukturën e Shënkollit, në Lezhë është përkeqësuar më tej. Një nga arsyet kryesore është rritja e numrit të pacientëve nga 404 në 469 gjatë tre viteve të fundit.
Burgu i Shenkoll me kapacitet 200 shtretër ka 469 të burgosur
“Në kohën e vizitës në janar 2026, numri i pacientëve në institucionin e përkohshëm në Lezhë ishte 469. Prej tyre, 301 pacientë ishin nën masën e parashikuar në nenin 46 të Kodit Penal, ndërsa 168 pacientë ishin nën nenin 239 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo përfaqëson një rritje të popullsisë së institucionit me më shumë se 15% në më pak se tre vjet, ndërsa numri i pacientëve ndaj të cilëve ishte vendosur masë mjekësore ishte rritur me 36%. Me një kapacitet zyrtar prej 200 shtretërish, institucioni ishte tej mase i mbipopulluar, duke funksionuar në 235% të kapacitetit të parashikuar.
Edhe vrasës me pagesë
Krahasuar me vizitën e mëparshme, CPT-ja konstatoi një rritje të diversitetit mes pacientëve, përfshirë edhe sa i përket nevojave të tyre të sigurisë.
“Sipas vëzhgimeve të delegacionit, të konfirmuara edhe nga stafi, disa të burgosur të dërguar në institucion paraqisnin nevojë të kufizuar për kujdes psikiatrik, por kërkonin një nivel të lartë sigurie për shkak të natyrës së krimeve të kryera, përfshirë vrasje me pagesë, ose për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar.
Në këtë kontekst, disa prej personave me të cilët bisedoi delegacioni i thanë CPT-së se vendimet për sistemimin e pacientëve mund të ndikohej nga familjarët përmes kontakteve të tyre me një gjyqtar.
Ndryshe nga vizita e vitit 2023, në vitin 2026 institucioni strehonte edhe disa pacientë me aftësi të kufizuara shqisore dhe fizike, si dhe një grup të konsiderueshëm pacientësh me aftësi të kufizuara intelektuale.”
Sipas CPT-së, prania në të njëjtin institucion e pacientëve me nevoja kaq të ndryshme dhe shpesh kontradiktore ndikon drejtpërdrejt në trajtimin dhe regjimin që mund t’u ofrohet, veçanërisht në kushtet e mbipopullimit të vazhdueshëm dhe ambienteve të papërshtatshme.
CPT-ja kërkon komentet e autoriteteve shqiptare lidhur me rritjen e diversitetit të pacientëve, të cilët kanë shpesh nevoja kontradiktore
Niveli aktual i mbipopullimit, i kombinuar me mungesën e angazhimit terapeutik të strukturuar dhe qasjeve të qëndrueshme për de-përshkallëzimin e konflikteve, e bën praktikisht të pamundur menaxhimin individual të pacientëve me sjellje problematike, thekson raporti.







