Arbër Hoxha është shitur nga Dinamo Zagreb tek Al Uahda në Emiratet e Bashkuara Arabe. Transferimi është kryer për 2,5 milionë euro, ndërsa klubi kroat ruan 10% të kartonit në rast rishitje.
Lajmi është raportuar nga “sportske novosti”. Ky largim konsiderohet i papritur, duke qenë se Lindja e Mesme nuk shfaqej më parë si opsioni i preferuar për sulmuesin e Kombëtares.
Hoxha luajti si titullar dy ditë më parë përballë Hapoel Ber Sheva në Ligën e Europës. Nga Dinamo e Zagrebit largohet me kujtimin e 117 paraqitjeve ku shënoi 14 gola dhe asistoi 15 të tjerë. Pjesë e klubit ishte prej janarit të vitit 2024 duke fituar dy tituj kampion dhe dy Kupa të Kroacisë.
Klubi i ri i Al Uahda ndërkohë ndodhet në Abu Dhabi. Pas sezonit të kaluar, si asnjëherë tjetër, futbollistët e Kombëtares kanë preferuar vendet e Lindjes së Mesme.
Kujtojmë se Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami dhe tashmë Arbër Hoxha kanë vendosur të largohen nga Europa. Armando Broja po ashtu mund të jetë lojtari i radhës që shkon drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.







