Ballina Kosovë Vendimi i Hagës “ngre peshë” Prishtinën/ Mijëra qytetarë protestojnë kundër dënimit të...

Vendimi i Hagës “ngre peshë” Prishtinën/ Mijëra qytetarë protestojnë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte

77
0

Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në kryeqytetin Kosovës duke e kundërshtuar dënimin me burgim për krime lufte të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ditë më parë.

Hashim Thaçi, Kadi Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët udhëhoqën UÇK-në gjatë luftës së saj kundër forcave serbe më 1998-99, u shpallën fajtorë më 16 shtator nga ajo që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës, për katër akuza për krime lufte.

Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se do të ankohen ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Apelin e Speciales.

Dënimi i tyre me burgim është kritikuar ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.

Protesta e sotme, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është vazhdimësi e protestave të mbajtur në vend qëkurse gjykata i shpalli ata fajtorë.

Në protestën që po mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit po marrin pjesë edhe politikanë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës, përfshirë Ramush Haradinajn.

Protestuesit dëgjoheshin duke brohoritur “UÇK” dhe duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime kundër vendimit të gjykatës.

Para protestës, Policia e Kosovës u bëri thirrje pjesëmarrësve t’i ndjekin udhëzimet e zyrtarëve policorë, të mos hedhin gjësende e mjete të forta dhe të mos përdorin maska.

Thaçi, ish-president i Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë pas aktgjykimit dënues ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Avokati i tij, Luka Mishetiq, përcolli mesazhin e Thaçit të enjten, ku ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e cilësoi vendimin e 16 shtatorit të padrejtë.