Nga Fatjona Mejdini
Serbët do t’u drejtohen kutive të votimit në fund të tetorit, ndërsa një lëvizje qytetare pa lider dhe e decentralizuar, kundër pushtetit dhe opozitës tradicionale në Serbi, e cila ka kanalizuar zemër
Më 25 tetor, serbët do t’u drejtohen kutive të votimit dhe shqiptarët kanë arsye ta ndjekin këtë proces me interes. Kjo sepse, për herë të parë në këtë skenë politike, ka hyrë një aktor i ri politik, jo tradicional. Janë përfaqësuesit e të ashtuquajturës “Lëvizje Studentore”, të cilët, pas dy vitesh protestash intensive kundër korrupsionit dhe autoritarizmit në qeveri, janë regjistruar në zgjedhje si një lëvizje politike.
Në këto zgjedhje, ata nuk hyjnë për pjesëmarrje apo për konfirmim, por për t’i fituar ato dhe për t’i dhënë fund një regjimi të instaluar nga Aleksandër Vuçiq prej 14 vitesh, përmes partisë së drejtuar prej tij, Partisë Progresive Serbe (SNS).
Sondazhet e qendrave dhe instituteve të pavarura i nxjerrin gjithashtu favoritë. Instituti serb Mendimi i Ri Politik (NSPM) parashikon që “lista e studentëve” të marrë në zgjedhje 39,6% të votave, kundrejt 37,5% të koalicionit të drejtuar nga SNS. Po kështu, Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) parashikon që ata të grumbullojnë 44,9% të votave, krahasuar me vetëm 35,7% të koalicionit të drejtuar nga partia në pushtet.
“Lëvizja Studentore” do të garojë me një listë prej 250 kandidatësh për deputetë, të cilët janë përzgjedhur në mënyrë të decentralizuar dhe janë vetuar me rigorozitet për sa i përket të shkuarës së tyre profesionale, politike dhe zbatimit të ligjit. Lista kryesohet nga një mjek kardiolog nga Novi Sadi dhe vijon me profesionistë të fushave të ndryshme, ku mbizotërojnë akademikët nga universitetet e Serbisë.
Me një program prej 11 pikash, që ka në thelb të tij “rimëkëmbjen e vendit”, theksi vendoset te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe te aspekti social i zhvillimit të vendit, me më shumë vëmendje ndaj arsimit dhe kujdesit social.
Paralelet me Shqipërinë
Në Shqipëri, këto zgjedhje duhet të vështrohen me kujdes, sepse ka disa paralele të rëndësishme që mund të hiqen mes kësaj lëvizjeje dhe protestuesve të “Revolucionit të Flamingove”.
Lëvizja studentore në Serbi nisi në nëntor të vitit 2024, si rezultat i një ngjarjeje tragjike, ku 16 persona humbën jetën dhe të tjerë u plagosën si pasojë e shembjes së një strehe të një stacioni hekurudhor në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh në Serbi. Kjo tragjedi shkaktoi zemërim të gjerë qytetar në Serbi, pasi stacioni sapo ishte rinovuar, dhe solli në vëmendje korrupsionin në prokurimin publik, si dhe vendosjen e interesave të grupeve të biznesit pranë qeverisë përpara interesit publik.
Zemërimi filloi të kanalizohej në protesta, të cilat morën nxitje fillimisht nga Fakulteti i Arteve në Beograd, për t’u përqafuar më pas nga universitetet e tjera në të gjithë vendin dhe për t’u shtrirë në mënyrë horizontale në të gjithë Serbinë. Lëvizja u bë një kërcënim i fortë si për pushtetin e Aleksandër Vuçiqit, ashtu edhe për opozitën e vjetër në Serbi, e cila kishte humbur peshën e saj dhe shihej gjerësisht si e paaftë për të frymëzuar ndryshim.
Për dy vjet me radhë, studentët dhe qytetarët në të gjithë vendin zhvilluan një valë protestash, herë me bllokime rrugësh dhe herë duke mbushur sheshet. Më 15 mars të vitit 2025, protesta nxori më shumë se 300 mijë persona në sheshin kryesor të Beogradit, duke u cilësuar si lëvizja më e madhe qytetare në historinë e Serbisë.
Kërkesat nisën me bërjen transparente të dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe, me kalimin e kohës, u zgjeruan duke përfshirë kërkesa për më shumë buxhet për arsimin në Serbi, më shumë mbështetje sociale dhe, më pas, për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Theksi u vendos gjithashtu te autoritarizmi i pushtetit të Vuçiqit dhe nevoja për një fillim të ri.
Protesta u be nje mjet i kanalizimit te pakenaqesise se pergjithshme me pushtetin. Kjo ka ndodhur edhe me protesten ne Shqiperi, e cila nisi ne fund te majit si zemerim ndaj efektit ne faune dhe mjedis qe pritej te shkaktonte ndertimi I nje projekti turistik ne Zvernes, projekt i lidhur me familjen e presidentit te SHBA-se Donald Trump.
Protesta prodhoi një mobilizim qytetar të pazakontë për Shqipërinë. Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë dhe mbushën bulevardin kryesor të Tiranës, ndërsa interesi i mediave ndërkombëtare i dha protestës jehonë të mëtejshme. Ajo u shndërrua në një nga protestat më të mëdha të zhvilluara në vend që prej rënies së komunizmit, afro tre dekada më parë. Për më tepër, fakti që protesta vijoi në mënyrë maratonë për më shumë se 100 ditë e bëri mobilizimin dhe qëndrueshmërinë e saj veçanërisht të pazakontë.
Lëvizja e krijuar mori emrin “Revolucioni i Flamingove”. Me kalimin e kohës, ajo nuk zgjeroi vetëm numrin e mbështetësve, por edhe numrin e arsyeve për të cilat protestohej. Korrupsioni, vendosja e interesave private përpara atyre publike, rritja e autoritarizmit dhe arrogancës qeveritare u bënë disa nga arsyet që i nxorën qytetarët çdo ditë në protestë përpara Kryeministrisë. Shpejt, kërkesa dominuese dhe e panegociueshme e protestuesve u bë dorëheqja e kryeministrit Rama.
Një tjetër paralele mes protestave në Serbi dhe atyre në Shqipëri lidhet me distancën që të dyja lëvizjet kanë mbajtur nga partitë tradicionale. Në Serbi, studentët kanë ruajtur distancën jo vetëm nga partia në pushtet e drejtuar nga Aleksandër Vuçiqi, por edhe nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), një nga forcat kryesore të opozitës, si dhe nga forcat e tjera më të vogla, duke preferuar të mos identifikohen me to.
Një qasje të ngjashme ka ndjekur edhe “Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri, duke u pozicionuar në distancë të barabartë nga partitë e konsideruara si pjesë e establishmentit politik dhe duke refuzuar bashkëpunimin edhe me Partinë Demokratike në opozitë. Slogani “RnB, BnB” është një lojë fjalësh me tone muzikore, që nënkupton kërkesën që të dy liderët politikë, në mazhorancë dhe në opozitë, të shkojnë në burg: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta në Shqipëri megjithatë mbështetet fuqimisht nga parti të reja politike, por në thelb mbetet një lëvizje qytetare e zemërimit. Ajo nuk ka një lider të identifikuar dhe ka preferuar të ruajë si identitet mobilizimin qytetar dhe jo atë partiak. I njëjti ka qenë edhe rasti i “Lëvizjes Studentore” në Serbi. Kjo lëvizje nuk ka një lider të identifikuar, por ky fakt nuk duket se e ka penguar të sfidojë një pushtet autoritar dhe të konsoliduar prej më shumë se një dekade në Serbi.
Testi i 25 tetorit në Serbi do të tregojë ecurinë e këtyre lëvizjeve në terrenin elektoral. Suksesi i saj mund të frymëzojë një rrugë të re për lëvizjen protestuese në Shqipëri dhe t’i japë asaj një indicie se mund ta sfidojë pushtetin jo vetëm simbolikisht, por edhe përmes zgjedhjeve, pra realisht.







