I riu u ndalua teksa po tentonte të ngarkonte në bagazhin e makinës disa valixhe, brenda të cilave u gjetën rreth 98 kilogramë drogë.
ITALI- Një 29-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Guidonia të Italisë, pasi autoritetet i gjetën në automjet dhe në disa ambiente të përdorura si depo mbi 414 kilogramë hashash. I riu u ndalua teksa po tentonte të ngarkonte në bagazhin e makinës disa valixhe, brenda të cilave u gjetën rreth 98 kilogramë drogë.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti edhe një tufë çelësash, të cilët çuan në disa ambiente në Guidonia dhe Romë. Në një prej tyre, një sasi e madhe hashashi ishte fshehur brenda frigoriferëve të përshtatur për ruajtjen e lëndës narkotike. Në një garazh u gjetën gjithashtu materiale për paketimin e dozave dhe shënime me të dhëna mbi sasitë e drogës.
Në total, autoritetet sekuestruan mbi 414 kilogramë hashash, me një vlerë të përllogaritur në mbi 4 milionë euro në tregun me pakicë. 29-vjeçari akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin. Gjykata ka konfirmuar arrestimin e tij dhe ka vendosur masën e arrestit në burg.







