Ballina Aktualitet Debati për pagat e Gjyqësorit/ Spahiu: Përplasja me Qeverinë është mediatike dhe...

Debati për pagat e Gjyqësorit/ Spahiu: Përplasja me Qeverinë është mediatike dhe artificiale

53
0

Juristi Spahiu theksoi se pagat e magjistratëve duhet të barazohen me ato të niveleve të larta të Ekzekutivit dhe Legjislativit, në mënyrë që ky pushtet sipas tij, të mos jetë i diskriminuar në raport me 2 pushtetet e tjera.

Juristi Kreshnik Spahiu, është shprehur se përplasjet mes sistemit gjyqëror me qeverinë për pagat e magjistratëve, janë në thelb një debat mediatik artificial, për qëllime të caktuara.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live pasi ditën e sotme përfaqësuesit e magjistratëve vendosën ta çojnë betejën për pagat në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së re të pagave të miratuar nga Kuvendi.

“Fakti që në këtë proces është palë gjyqësori, nuk do të thotë që sistemi duhet të shpikë një arbitër të ri. Qeveria dhe pushteti legjislativ të enjten e fundit duhet të kishin gjetur një zgjidhje. Kishte një premtim që do të ishte reflektuar formula e re e pagave. Unë kam pritur që të kishte një zgjidhje politike, juridike e kushtetuese. Në referencë edhe të rekomandimeve të Kushtetueses, në tërësinë e vet ajo që ndodhi të enjten provon atë që deklarova 2 javë më parë, që në tërësinë e vet ky është një debat i stisur. Jo për të kursyer para, jo për të pasur një debat financiar, por për të ndezur një debat të paqenë për qëllime që unë nuk dua të aludoj”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu shtoi se pavarësisht kundërshtive të kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë, Gjykata Kushtetuese do të mbështesë kërkesën e grupeve të gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre.

Kjo pasi sipas Spahiut, pagat e magjistratëve duhet të barazohen me ato të niveleve të larta të Ekzekutivit dhe Legjislativit, në mënyrë që ky pushtet të mos jetë i diskriminuar në raport me 2 pushtetet e tjera.

“Pavarësisht se Rama është kundër, mendoj se Kushtetuesja do të mbështesë kërkesën e grupeve të gjyqtarëve, për faktin se balanca e pushteteve dhe formula për skemën e pagave duhet medoemos të barazojë gjyqtarët me nivelet e lartë të Ekzekutivit dhe të mos jetë gjyqësori më i diskriminuar në raport me pushtetin ekzekutiv e legjislativ”, shtoi Spahiu.