Pas nismës së PDK-së për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të shqyrtohen pasojat juridike që mund të sjellë një ndërhyrje në këtë fazë të procesit gjyqësor.
Në një përgjigje për mediat në Kosovë, LVV ka theksuar se kërkesa e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit nuk është tërhequr. Për këtë arsye, sipas saj, duhet të pritet vendimi i Gjykatës dhe të analizohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, ka thënë LVV.
Sa i përket projektligjit të dorëzuar nga PDK-ja, LVV ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që mund të ketë në procedurat që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara. Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.
Nga Vetëvendosje kanë vlerësuar se në këtë fazë duhet të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në një analizë të plotë juridike.
“Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike. Çdo veprim duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë vlerësuar me kujdes pasojat e tij të mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën në shkallë të dytë, përkatësisht procedurën e apelit. Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim”, ka deklaruar LVV.
PDK-ja gjatë ditës së sotme ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.







