Ballina Kosovë PDK dorëzon në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e...

PDK dorëzon në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

36
0

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nisma vjen pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, vendim të cilin PDK e ka kundërshtuar publikisht.

Sipas PDK-së, projektligji synon ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Partia thotë se përmes kësaj nisme Kuvendi duhet të shqyrtojë dispozitat ligjore dhe të sigurojë respektimin e standardeve të drejtësisë dhe garancive për një proces të drejtë gjyqësor.

PDK dorëzon në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Prishtinë, 21 shtator 2026 – Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.

Pas këtij vendimi, PDK ka paralajmëruar se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.

Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.

PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.