Avokati Rezart Kthupi, komentoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtuesen e SHISH Vlora Hysenin dhe kontrollin në banesën e ish-drejtorit të Policisë, Ilir Proda, për çështjen e AKSHI-t.
Kthupi thekson se ka rënë shteti e institucionet dhe se në këmbë ka mbetur vetëm kryeministri. Tha se ky është një paradoks i madh.
“Po na bien institucionet e shtetit. Po na bien institucione, që janë jetike. Vetëm kryeministri ka mbetur në këmbë dhe kjo është tragji-komike. Edhe hetimet ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Ilir Prodës janë të rënda, sepse ka kryer shkelje kur ka qenë në detyrë. Fakti që gjykata ka vendosur masë sigurie për Vlora Hysenin, tregon se ka indicie se ka kryer shkelje dhe ka edhe akuza. Hyseni besoj se e ka ditur se ka hetim ndaj saj, se kryetarja e SHISH patjetër që ka dijeni për çdo gjë besoj se ka tentuar të cënojë drejtësinë”, tha Kthupi.
Më tej, nënvizoi se tashmë ka rënë siguria kombëtare, pasi del qartë që Vlora Hyseni ka bashkëpunuar me grup të strukturuar kriminal.
“Edi Rama e shkarkoi Hysenin, sepse ajo nuk ka ardhur nga radhët e PS-së. Ndryshe Rama foli për Mirlinda Karçanaj, që tha se ajo jetonte me qira dhe nuk kishte pasuri të madhe, sipas kryeministrit. Sot morëm vesh se është cenuar siguria kombëtare. Është cenuar, sepse marrëdhënia e saj me grupin e strukturuar kriminal që drejtohej nga Agasi ishte raport i vazhdueshëm. Hysenaj bashkëpunonte hapur me krimin”, u shpreh Kthupi.
Më tej, vlerësoi se SPAK është një institucion që tashmë është maturuar.
“SPAK është duke faktuar, ato që ne dimë në formën e thashethemit. SPAK thjesht bisedat tona në kafene po i vërteton ligjërisht. Shqipëria është vend i vogël për të mos i ditur ca gjëra. SPAK është rritur dhe vepron me akte proceduriale”, deklaroi Kthupi.







