Edi Martini nuk është më trajner i Vllaznisë. Nga Shkodra raportohet se drejtuesit kanë marrë vendimin për të ndërprerë bashkpunimin me Martinin pas rezultateve të dobta në javët e parë të sezonit të ri. Pas 5 sfidave Vllaznia ka marrë vetëm 2 pikë, duke u renditur e fundit në kampionat.
Për rrjedhojë situata duket pa zgjidhje dhe duke përfituar edhe nga ndërprerja e kampionatit drejtuesit kanë vendosur të lëvizin shpejt. Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar për këtë çështje.
Edi Martini mori drejtimin e Vllaznisë në maj të 2025 me objektivin për ta shpallur kampion klubin, por u ndal në ‘final-four’. Ndryshe nga sezoni i kaluar kjo verë u shoqërua me ndryshime të mëdha, duke ndikuar edhe tek nisja e kampionatit.
Mbetet për t’u konfirmuar, por gjasat më të mëdha për të marrë drejtimin e Vllaznisë i ka Zekirije Ramadani, trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut i shpallur kampion në Kosovë me Dritën dhe që mori pjesë sezonin e kaluar në grupet e Conference League. Prej verës ai është i papunë, që pas largimit me shumë pikëpyetje nga Drita.
Ramadani është një njohës shumë i mirë i futbollit shqiptar pasi përveçse si lojtar ka drejtuar ekipe si Flamurtari dhe Egnatia.







