Ballina Europë Itali/ Policia gjen 3.2 milionë euro të fshehura në muret e një...

Itali/ Policia gjen 3.2 milionë euro të fshehura në muret e një shtëpie, në pranga 34 të dyshuar

45
0

Policia italiane ka zbuluar 3.2 milionë euro para të gatshme, të fshehura brenda mureve të një shtëpie në Caivano, gjatë një operacioni kundër një organizate kriminale të dyshuar për lidhje me mafian pranë Napolit.

Paratë, kryesisht në kartëmonedha 50-euroshe të mbështjella me plastikë, u zbuluan pasi efektivët hapën muret e banesës. Gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu 11 orë luksoze, me një vlerë totale prej më shumë se 127 mijë euro.

Operacioni i autoriteteve italiane kishte në shënjestër 34 persona të dyshuar. Sipas agjencisë ANSA, për 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa 11 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie.

Hetuesit dyshojnë se organizata kishte lidhje me klanin Angelino, i cili vepron në zonat e Caivanos dhe Casorias, dhe se ishte përfshirë në veprimtari të trafikut të drogës dhe zhvatjes.

Sipas autoriteteve, një rol të rëndësishëm në hetim kanë pasur bashkëpunëtorët e drejtësisë. Gjatë kontrolleve, karabinierët zbuluan shumën prej 3.2 milionë eurosh në banesën e një personi që dyshohet se ishte ndër drejtuesit e grupit kriminal.

Hetimi, i cili përfshin aktivitetet e organizatës nga viti 2021 deri në korrik 2025, ka dokumentuar edhe mënyrën se si dyshohet se organizohej shitja e drogës, përfshirë dërgesat e rregullta dhe afatet e pagesave.

Sipas hetuesve, disa prej aktiviteteve tregtare të përdorura nga organizata menaxhoheshin kryesisht brenda familjeve, me qëllim kufizimin e përfshirjes së personave të jashtëm.