Kompania Eagle Hills, e cila po ndërton projektin problematik në Portin e Durrës, nënshkroi dy ditë më parë një kontratë me qeverinë e Maldiveve për të ndërtuar një kompleks turistik me vlerë 20 miliardë dollarë.
Marrëveshja i jep kompanisë Eagle Hills të Alabbarit një sipërfaqe toke prej mbi 500 hektarësh në zonën e quajtur Rasmalé, një ishull i krijuar arificialisht përmes fitimit të tokës nga deti, ose argjilimit siç njihet ndryshe.
Ishulli Rasmale, ku do te ndertohet projekti
Qeveria e Maldiveve do të vërë në dispozicion tokën me qira 99 vjet. Në këmbimit Eagle Hills e Alabbarit do të investojë 12-20 miliardë dollarë për ndërtimin e kompleksit turistik, i cili parashikohet të ketë 65 mijë njësi banimi, hotele, shkolla dhe facilitete të tjera.
Jo favore si Shqipëria
Marrëveshja parashikon se qeveria e Maldiveve do të marrë një taksë 10 për qind mbi xhiron e kompanisë si dhe një tarifë fikse 4 për qind për çdo pronë të shitur, plus rishitjen e tyre.
Paralelisht kompania nuk përfiton asnjë lehtësim nga taksat e tjera që zbatohen në Maldive, ndryshe nga Shqipëria ku ajo u përjashtua thuajse nga të gjitha taksat.
Përtej kësaj, si pjesë e marrëveshjes Eagle Hills është e detyruar të ndërtojë 5 mijë banesa sociale në një vend tjetër jashtë projektit, të cilat do të përdoren për të strehuar familjet e Maldiveve.
Krahasimi mes dy marrëveshjeve tregon se ajo e Shqipërisë është dukshëm më pak përfituese. Në Maldive, rreziku është i investitorit. Qeveria e Maldiveve luan rolin e “pronarit të tokës”. Pavarësisht nëse Alabbar fiton apo humbet para nga resortet, shteti merr 10% cash për çdo metër katror të shitur.

Krahasimi mes perfitimeve te shtetit ne Shqiperi dhe Maldive
Në Shqipëri, shteti ndan rrezikun. Duke qenë aksionar me 33%, Shqipëria fiton vetëm nëse apartamentet shiten shtrenjtë dhe kompania menaxhohet pa fryrje kostosh.
Përjashtimi nga taksat e zakonshme që llogariten rreth 10% e vlerës së projektit i hoqi arkës së shtetit para të sigurta në shkëmbim të një dividenti të pasigurt në të ardhmen.
Ministri i Infrastrukturës së Maldiveve deklaroi se qeveria pret të arkëtojë 10 deri në 11 miliardë dollarë të ardhura direkte nga projekti. Në Shqipëri, do të arkëtojë vetëm 33 për qind të fitimit, gjithmonë nëse projekti do të ecë mirë dhe nëse Eagle Hills, e cila zotëron llogaritë e tij, do ta nxjerrë bilancin më fitim.
Kritika të ashpra edhe në Maldive
Pavarësisht kushteve më të favorshme se në Shqipëri, marrëveshja në Maldive ka shkatuar reagime dhe kundërshti të forta nga opozita dhe qytetarët. Kritikët kundërshtuan mungesën e transparencës dhe potencialin për pronësi të huaja.
Lagunat masive mbi të cilat ndodhen vendpushimet e integruara Rasmalé dhe Crossroads janë “asetet më të vlefshme” të vendit që qeveritë nuk duhet t’i japin me qira për periudha të gjata, argumentoi deputeti i opozitës Ahmed Shamheed, duke vlerësuar se toka e rikuperuar vlente midis 10 dhe 17 miliardë dollarë amerikanë dhe ajo po i jepej Alabbarit.
Ndërsa qarkullonin pretendimet se Rasmalé ishte dorëzuar “për 99 vjet plus rivendosje të pakufizuara”, Ministri i Financave Hassan Zareer doli në televizionin shtetëror për të këmbëngulur se “asnjë inç” tokë nuk do të shitej.
Rekordet e dyshimta të Eagle Hills
Bilanci i Eagle Hills jashtë vendit është i përzier. Projekti “Belgrade ëaterfront” – në pronësi të Eagle Hills (68%) dhe shtetit serb (32%) – ka përfunduar ndërtimin e 34 prej 60 godinave të planifikuara, sipas faqes së internetit të projektit.
Megjithatë, në shkurt të vitit 2025, qeveria hungareze njoftoi se Eagle Hills nuk do të vazhdonte me një projekt të madh të quajtur “Grand Budapest”.
Shqetësime të ngjashme lidhur me kushtet jo transparente dhe miratimet e përshpejtuara kanë shoqëruar projektet e “Eagle Hills” në Shqipëri dhe në Gjeorgji.
Në Durrës, projekti i Alabbar është përballur me kritika të shumta, për shkak të kushteve të disfavorshme për shtetin, por edhe për cilësinë e ndërtimeve. Dy prej godinave të para që u ndërtuan karabina janë fundosur më dhjetra centimetra, ndërkohë që Eagle Hills thuajse i ka ndaluar totalisht punimet, duke vazhduar me ritme minimale./Kapitali







